Tiranë – Blushi në fillim të marsit do të hyjë në Parlament

“Asambleja duhet të diskutonte për bojkotin që rezultoi një strategji e gabuar. Unë nuk do djeg mandatin tim” u shpreh Blushi. Blushi kërkoi që çështja e bojkotit të diskutohet në Asamblenë e PS: “Do të propozoja që pasi të mbarojnë fjalimet dhe prezantimet për përmbytjen, Asambleja të ketë një pikë në rendin e ditës ku të diskutojë se çfarë do të bëjmë në të ardhmen tonë. Kemi hyrë në një vit tjetër dhe kërkohet që të bëjmë një bilanc të paktën të 6 muajve të fundit”, deklaroi Blushi në fillim të mbledhjes. Punimet e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste i ka çelur kryetari i kësaj asambleje Gramoz Ruçi, i cili u ndal në përmbytjet e ndodhura në Shkodër dhe Lezhë, duke akuzuar qeverinë se ajo ishte fajtore dhe jo situata e motit që solli emergjencën humanitare. “Qeveria e paaftë, ishte ajo që solli dëmin e madh për shkodranët”, – deklaroi Ruçi kurse shtoi: “Përmbytjet erdhën pasi argjinaturat e lumenjve nuk i ka Zoti në dorë, por i pazoti, se kanalet e kullimit nuk i la Zoti të papasatruara por i lanë të pazotët, sepse inertet tek lumenjtë nuk i la Zoti por i lanë të pazotët, që janë Sali Berisha me njerëzit e tij”. Në fjalën e tij, Ruçi ka shprehur dhe admirimin siç u shpreh, për banorët që përballuan këtë katastrofë. Më tej, z.Ruçi tha se Partia Socialiste, solidarizohet me të dëmtuarit nga përmbytjet”, kurse vuri në dukje se deputetët socialistë, dhanë kontribut të çmuar në Shkodër”.

Advertisement