Haiti – Vijojnë të dërgohen ndihma

Tre milionë të tjerë, ose një e treta e popullsisë së vendit të Karaibeve, llogariten se kanë nevojë për ndihma emergjente. Nga ekipi i OKB-së, që gjendej në Haiti në kohën e ngjarjes, janë konfirmuar 36 të vdekur e rreth 150 të humbur. Shtetet e Bashkuara konfirmuan se po japin një ndihmë fillestare prej 100 milionë dollarësh për operacionet humanitare në Haiti. “Sot po njoftoj një fond të menjëhershëm prej 100 milionë dollarësh në mbështetje të operacioneve të ndihmës. Kjo do të jetë kryesisht në pajisje për shpëtimin e jetëve, në ushqim, ujë dhe në barnat e nevojshme. Ky investim do të rritet gjatë vitit derisa do të hyjmë në një fazë rimëkëmbje nga kjo tragjedi e paimagjinueshme”, tha Obama. Ai shtoi se “jemi solidarë me fqinjët tanë në jug”. Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë edhe mijëra trupa në Haiti për të asistuar në operacionet humanitare pas tërmetit shkatërrues të së martës. Konfirmohet se 3500 ushtarë do të dërgohen në Haiti, 100 nga të cilët do të arrijnë në vendin e ngjarjes gjatë ditës së sotme. Sakaq, 2200 marinsë amerikane shtesë do të mbërrijnë në Haiti për operacionet e sigurisë, të kërkimit dhe të shpëtimit. Trupat amerikane po ruajnë aeroportin e Porto Princit. Në aeroport kanë mbërritur aeroplanët e parë me ndihma nga Kina, Franca dhe Spanja. Fondi Monetar Ndërkombëtar do të ofrojë 100 milionë dollarë ndihmë për Haitin. Kordinatori për Kryqin e Kuq të Haitit, Viktor Xhekson, tha se numri i të vdekurve nga tërmeti mund të jetë mes 45 e deri në 50 mijë njerëz. E njëjta organizatë ka vlerësuar se 3 milionë njerëz, ose një e treta e popullsisë së Haitit kanë nevojë për ndihma emergjente. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun tha se 100 milionë dollarë do të dërgohen menjëherë nga trupi më i lartë i botës. Burimet e OKB-së thanë se 36 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse kanë humbur jetën, por shifrat mund të rriten ndërsa ekipet e shpëtimit po i kërkojnë të mbijetuarit në gërmadhat e ndërtesës shtatëkatëshe të misionit. Kreu i OKB-së Ban ki Mun tha se 150 punonjës të organizatës botërore llogariten si të humbur. Saktësisht 100 prej tyre ishin në ndërtesën e OKB-së në momentin që ajo u rrënua. Ban ki Mun vlerësoi lart përgjigjen e menjëhershme të bashkësisë ndërkombëtare për të ndihmuar. Ai shtoi se situata e sigurisë është relativisht nën kontroll. “Siguria e përgjithshme dhe rendi publik po mbahen. Siç ju thashë kemi 3000 forca paqeruajtëse në vend. Ata vazhdojnë të patrullojnë, derisa detyrë kryesore kanë të shoqërojnë dhe ndihmojnë shpërndarjen e ndihmave humanitare”, tha Ban. Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ish presidenti amerikan Bill Klinton, i cili tash është i dërguar special i OKB-së për Haitin, tha se përpjekjet fillestare janë fokusuar në shpëtimin e sa më shumë jetëve. “Duhet të shpëtojmë sa më shumë jetë të jetë e mundur dhe t’u ndihmojmë të plagosurve. Duhet t’u japim ujë dhe ushqim”, tha Bill Klinton. Tërmeti i fuqishëm prej 7 ballë të shkallës Rihter.

Advertisement