Tiranë – Meta mesazh ngushëllimi për viktimat e tërmetit në Haiti

Në një letër ngushëllimi drejtuar Ministres së Punëve të Jashtme të Haitit Znj. Marie-Michèle Rey, Meta shprehu solidaritetin dhe simpatinë më të thellë ndaj popullit haitian si dhe vullnetin e Qeverisë shqiptare për të kontribuar përkrah partnerëve ndërkombëtarë për kapërcimin sa më të shpejtë të kësaj situate dramatike. Teksti i letrës së z. Meta: Me dhimbje të thellë mësova lajmin e katastrofës tragjike që goditi vendin Tuaj dhe që fatkeqësisht ka shkaktuar një numër tronditës viktimash dhe të lënduarish. Duke marrë pjesë në këtë hidhërim të madh që ka prekur Haitin, më lejoni, Shkëlqesi, që t’ju shpreh juve, dhe nëpërmjet jush popullit tuaj dhe familjeve të viktimave, simpatinë time të thellë dhe ngushëllimet e mia më të sinqerta. Dëshiroj t’ju shpreh gjithashtu gatishmërinë e plotë të Qeverisë shqiptare si dhe solidaritetin e vendit tim për t’ju gjendur pranë popullit Tuaj në këto momente të vështira. Jemi gati të kontribuojmë përkrah partnerëve tanë ndërkombëtarë për kapërcimin sa më të shpejtë të kësaj situate dramatike. Së bashku me ngushëllimet, ju lutem pranoni, sigurimet e konsideratës sime më të lartë”, – përfundon mesazhi i Metës.

Advertisement