Sipas zyrës së përfaqësuesit civil ndërkombëtar në Kosovë, Bogdanovic nuk ka respektuar institucionet kosovare dhe ato ndërkombtare që janë përgjegjëse për vizitat zyrtare në Kosovë. Madje BE ka argumentuar se një vizitë e tillë, përbën shqetësim për rendin publik në Kosovë. Ministri serb për Kosovën Goran Bogdanovic është rikthyer në Serbi në pikën kufitare Merdare, pasi u dëbua nga Kosova. Ai është shoqëruar me forca të shumta policore, të cilat e kanë dërguar në territorin serb. Edhe pse dëbimi i Bogdanovic nga Kosova është bërë në mënyrë spektakolare i shoqëruar me forca të shumta policore, Bogdanovic sërish ka deklaruar me shpërfillje se kurrë nuk do kërkojë leje për të hyrë në Kosovë. Pas kalimit të Doganës së Kosovës ai ka deklaruar për mediat se është e papërshtatshme që ai të kërkojë leje hyrje, pasi është banor i Kosovës. Ndalimi i Bogdanovic është bërë në një fshat të komunës së Shtërpcës, teksa ai po zhvillonte aktivitete politike, pa njoftuar Prishtinën me parë. Në 6 janar Kosovën e vizitoi edhe presidentit serb Boris Tadic, por ai mori leje paraprakisht tek zyra ndërkombëtare e Piter Feith por edhe tek Autoritetet e Prishtinës.