Shkodër – ISHP, uji është i konsumueshëm

Pas analizave të kryera gjatë këtyre ditëve në rrjetin e ujësjellësit të qytetit në lagjen “Bahcallëk”, specialistët e drejtorisë së shëndetit publik në Shkodër kanë dhënë miratimin për hapjen e ujësjellësit të qytetit. Ky ujësjellës qëndronte i mbyllur prej disa ditësh për shkak të situatës së krijuar nga përmbytjet. Sipas drejtorit të ISHP, Alban Ylli, nga monitorimi i zonës, situata e ujit të pijshëm duket normale. “Bashkë me specialistët e shëndetit publik të qytetit ne kemi analizuar prej disa ditësh nivelin e ndotjes në këtë ujësjellës e mendojmë se është në normat e lejuara ndërsa përsa i takon sëmundshmërisë nuk kemi asnjë të dhënë për ndonjë sëmundje”, u shpreh Ylli. Ndërkohë në komunat dhe zonat e izoluara nga përmbytjet vazhdon ofrimi i shërbimit shëndetësor 24 orë. Sipas burimeve zyrtare nga ministria e Shëndetësisë, nga inspektimi i zonave të izoluara nga përmbytjet nuk ka rritje të sëmundshmërisë ndërkohë që vazhdon furnizimi me medikamentet e nevojshme për përballimin e situatës emergjente.

Advertisement