Kështu ka deklaruar ish-shefi i politikës së jashtme dhe sigurisë në BE, Haver Solana në një koment të botuar në të përditshmen malazeze “Pobjeda”. Solana tha se tre vende fituan liberalizim vizash, së shpejti ky vendim do miratohet edhe për Shqipërinë dhe Bosnjen, ndërsa BE po shqyrton përfshirjen e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave. Solana që tashmë nuk ka ndonjë post në hierarkinë e Bashkimit Europian ka deklaruar se bashkëpunimi rajonal dhe pajtimi në Ballkan janë me rëndësi vendimtare për integrimin e rajonit. Solana ka vënë në dukje se “me forcimin e lidhjeve mes vendeve në këtë rajon, ideja për luftërat dhe konfliktet bëhet e pamundur”. Ai ka pohuar se perspektiva evropiane e Ballkanit po bëhet gjithnjë e më e prekshme për Ballkanin dhe se zgjidhja për këtë hapësirë nuk është te ndarjet dhe ndasitë e mëtejme, por integrimi në Bashkimin Evropian.