Drejtori i ISHP, Alban Ylli ka garantuar popullatën se 10 mijë dozat e vaksinës janë testuar nga një agjenci evropiane dhe efektet anësore të saj janë të papërfillshme. Por nga vaksinimi përjashtohen personat alergjikë nga veza dhe fëmijët nën 0 vjeç. “Jemi duke bërë ftesë qytetarëve përmes medias të aplikojnë vaksinën pasi ajo është testuar me sukses dhe nuk përbën asnjë rrezik për shëndetin e popullatës. E theksojmë se në vaksinim do të përfshihen fëmijët mbi 1 vjeç, të sëmurët kronikë dhe mjekët që janë direkt në kontakt me gripin e derrit. Përjashtohen personat alergjikë nga veza dhe ata që tashmë janë të prekur nga gripi”, u shpreh Ylli. Dozat e para të vaksinave pritet të shpërndahen pasditen e së hënës në poliklinika dhe të martën të nisë vaksinimi në gjithë vendin. Drejtori i ISHP ka dhënë garanci dhe për ruajtjen e vaksinave në kushtet e kërkuara. “Sistemi ynë i vaksinimit ka një traditë të mirë përsa i takon ruajtjes së vaksinave, pra zinxhiri ftohës funksionon më së miri. Vaksina është shumë komode përsa i takon përdorimit, pasi është një dozëshe dhe ka ardhur e shoqëruar me shiringën përkatëse”, theksoi Ylli. Sipas ISHP, pas mbylljes së fazës së parë të vaksinimit do të procedohet me grupet e tjera të riskut ku është përllogaritur të jenë rreth 210 mijë persona të tjerë. Porosia e blerjes së dozave për ta është mbyllur dhe sasitë e tjera të vaksinës pritet të vijnë pas vitit të ri. Vaksinat u blenë nga një kompani hungareze. Deri tani në gjithë vendin numri i të prekurve nga virusi i gripit të derrit është mbi 350 persona ndërsa janë konfirmuar zyrtarisht 6 vdekje, rasti më i fundit një 51-vjeçare nga Kukësi e cila ndërroi jetë në spitalin infektiv në Tiranë.


