Kosovë – Presidenti Turk premton mbështetjen e Sllovenisë

Thursday, December 25, 2025

Deklaratat u bënë pas takimit me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu. Mbajtja e suksesshme e zgjedhjeve lokale dhe pjesëmarrja e serbëve ishin hapa inkurajues për shtetin e ri të Kosovës, tha presidenti slloven. Ndërsa premtoi praninë sllovene në misionin civil të BE-së dhe forcën e KFOR-it, presidenti slloven tha se e përkrah plotësisht Kosovën, si dhe vendet tjera të rajonit, edhe në ambiciet integruese evropiane dhe në liberalizimin e vizave. “Liria e lëvizjes është një prej parimeve dhe të drejtave themelore të njeriut. Kështu që heqja e vizave nënkupton mundësinë e zbatimit të kësaj të drejte”, tha Danilo Turk. Sidoqoftë, ai rikujtoi se disa vende të rajonit duhet t’i përmbushin edhe disa kritere të parapara. Kurse, pozicioni slloven, sipas presidentit Turk, ka qenë nga fillimi se nuk duhet të ketë ndalesa në lidhje me liberalizimin e vizave. Ndërkohë, presidenti Fatmir Sejdiu tha se Sllovenia në vazhdimësi ka luajtur rol konstruktiv në raport me Kosovën. Ai falenderoi shtetin slloven për këtë angazhim dhe premtoi bashkëpunimin konstruktiv të Kosovës me shtetin slloven. “Për ne është aq më tepër e rëndësishme se ky përkushtim, kaq kualitativ, nuk ka mbetur vetëm në relacionet e drejtpërdrejta mes dy vendeve dhe dy popujve, por edhe me një angazhim të fuqishëm të Republikës së Sllovenisë edhe në qendrat ndërkombëtare, për të sqaruar mirë arsyet e mëvetësisë së Kosovës”. “Dhe një garanci, po ashtu dhe një përkushtim i plotë në ndërtimin e marrëdhënieve të reja në rrafshe të shumta, që janë të nevojshme për dy vende sovrane”, tha Sejdiu Presidenti i Sllovenisë, Danilo Turk, është pritur edhe nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, dhe kryeministri Hashim Thaçi. Presidenti slloven është i shoqëruar edhe nga ministrja sllovene e Mbrojtjes, Lubica Jelushic, e cila pritet të zhvillojë një takim me ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota. Njëherësh, delegacioni slloven pritet t’i vizitojë edhe trupat sllovene në kuadër të KFOR-it.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -