Deputeti socialist Xhemal Qefalia doli para mediave dhe denoncoi se “mbrëmë Sali Berisha, nga tmerri i hapjes së kutive, kaloi nga kërcënimet verbale në kërcënimet fizike në adresë të opozitës shqiptare”. Qefalia akuzoi kryeministrin se përdori në kundërshtim me ligjin pushtetin duke kërcënuar lirinë e pronës private, pronë të cilën studentët e dhjetorit e fituan 19 vjet më parë. “Gjithë këto ditë kemi dëgjuar helm dhe vrer për figurën dhe familjen e kryetarit të partisë më të madhe në vend. Këto ditë kemi dëgjuar akuza dhe shpifje për deputetët të Partisë Socialiste të cilët përveç së kolegë janë prindër dhe familjare”, – vijoi Qefalia. Kurse në vijim doli aty ku edhe ishte përqendruar thelbi i daljes për media: “Mbrëmë ne ishim dëshmitarë se si një qytetar, biznesmen i ndershëm që nga viti 1992, që u bë pre, për të vetmen arsye se është i afërm i një deputeti të parlamentit shqiptar”. Në këtë pikë, Qefalia sqaroi se “deputetët e opozitës nuk ishin sot në mbrojtje të pronës së ligjshme të biznesmenit, por në mbrojtje të shtetit dhe të të drejtës, në mbrojtje të çdo biznesi të ligjshëm dhe të çdo qytetari shqiptar që pronën, fitimet dhe mirëqenien e familjes së tij nuk e ka lidhur me shërbimin ndaj pushtetit”. Në përfundim, në emër të PS, Qefalia premtoi: “Ne i deklarojmë sot çdo qytetari, biznesmeni, që ndihet i rrezikuar nga pushteti i sotëm se ne: do të jemi në krah të tyre, deri në fund, në mbrojtje nga ky regjim”.