Kështu e ka komentuar deputeti Dashamir Peza sot për median atë që sipas tij, Berisha po i bën pallatit të kunatit të tij në mënyrë aspak të drejtë. “Jam këtu jo për veten time, po për kunatin tim pasi ai është viktimë e luftës politike që bën Sali Berisha”, tha Peza lidhur me një fakt të tillë. Sipas tij, ai ka ditë që sulmohet nga media, edhe nga ana e moralit të familjes së tij vetëm sepse merret me politikë dhe pikërisht, kunati i tij Mata është viktimë e luftës politike që i ka shpallur Pezës kryeministri Berisha. “Po përdoret dhuna e policisë vetëm sepse dua të jem atje dhe të mbaj qëndrim që besoj se më takon si qytetar i lirë”, tha Peza. Ndër të tjera, ai shtoi se biznesmeni Ilir Mata ndihet i persekutuar vetëm se është kunati i tij dhe i ka kërkuar falje publike që ai është viktimë e faktit për Pezën si politikan. Duke pohuar se do ta çojë çështjen deri në gjykatë, deputeti socialist ka pohuar dëshirën që gjykata të veprojë me drejtësi dhe se ai më pas, do t’i nënshtrohej çfarëdolloj vendimi që japin gjykatat. “Çështjen do ta çoj në gjykatë, sot ndihem i kërcënuar. Rruga e vërtetë është ajo e ligjit”, ka përfunduar citimin e tij Peza për mediat nga vendngjarja ku forcat e policisë kanë rrethuar pallatin 12-katësh të kunatit të tij për ta shembur.