Më tej, ata kanë shtuar edhe faktin se sfidat kyçe të këtij vendi ende mbeten sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Sipas tyre, në stabilitetin e Kosovës ka luajtur një rol shumë të madh fakti i zhvillimit të një procesi të qetë zgjedhor. Ndër të tjera, në dokumentin përmbyllës të takimit në Bruksel, thuhet se sfida kyçe në Kosovë gjithashtu mbeten forcimi i kapaciteteve të administratës, mbrojtja e serbëve dhe pakicave tjera, e trashëgimisë fetare dhe kulturore si dhe dialogu dhe mirëkuptimi ndërmjet bashkësive. Ministrat e Bashkimit Evropian kanë theksuar ndër të tjera edhe faktin e domosdoshëm të bashkëpunimit të Prishtinës zyrtare me forcat e EULEX-it, në mënyrë që të sigurohet mbarëvajtja e punës së këtij misioni në Kosovë.