Deklarata e Berishës është bërë gjatë mbledhjes së grupit të Partisë Demokratike ku ai u shpreh se oferta është jashtëzakonisht serioze, e ndershme, dinjitoze. “Janë ligjet, reformat në parlament dhe jo thasët e plehut për qytetarët shqiptarë, ato që përfaqësojnë, grishin dhe ftojnë opozitën shqiptare. Thasët e plehut përfaqësojnë mafien, mafien dhe vetëm mafien. Besoj se këtë e ka të qartë çdo qytetar i këtij vendi. Ndaj, duke dashur vendosmërisht, të ndajmë agjendën e integrimit dhe të lëvizjes së lirë, bashkërisht me opozitën, edhe njëherë e ftoj atë që të marrë funksionet e veta” tha sot Berisha. Berisha ka folur edhe për luftën kundër mafies duke thënë se mafia nuk ka të ardhme. Kryeministri u shpreh edhe për protestat e bashkive duke deklaruar se qeveria do bëjë çdo përpjekje për të ulur taksat. “Një protestë e atyre që kanë pasur nga kjo qeveri 3-4 herë financime më të mëdha se sa më parë, të ngjall keqardhje, kur sheh partnerë që protestojnë për atë që s’ka asgjë të përbashkët me interesat e qytetarëve të tyre, por vetëm në funksion të aleancës” tha Berisha.