Mediat e huaja raportojnë se në këtë eveniment të madh ndërkombëtar do të jenë pjesëmarrës 192 anëtarë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe se punimet e tij do të vazhdojnë për 12 ditë, periudhë kjo e nevojshme sipas organizatorëve për të diskutuar mbi gjithë problematikën e ngrohjes globale që rrezikon botën. Që të gjithë gjenden nën presion për të arritur një marrëveshje për të vendosur objektiva për kontrollimin e çlirimit të gazeve të dëmshme, por edhe për faktin se sa vendet e pasura duhet të paguajnë për energji të pastër për vendet e varfra. Bëhet me dijeni se pjesëmarrësit do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje ndërkombëtare për reduktimin e gazeve të dëmshme që do të zëvendësonte Protokollin e Kjotos të vitit 1997, i cili skadon në vitin 2012. Nga ana e tij, presidenti amerikan Obama ka vendosur të marrë pjesë në mbyllje të konferencës së OKB-së mbi klimën në Kopenhagen të Danimarkës, pasi sipas Shtëpisë së Bardhë, është bërë përparim i dukshëm drejt një marrëveshje konkrete.