“Ky ligj duhet të ishte miratuar nga parlamenti i parë pluralist, sepse mafia ekonomike ndodhet në Shqipëri që nga viti 1945”, thuhet në deklaratën e PBKD. Sipas saj, abuzimet e mafies komuniste me pronat e shqiptarëve u zhvilluan në dy faza: në fillim ajo shpronësoi pronarët e ligjshëm dhe kolektivizoi gjithçka, ndërsa pas rrëzimit të sistemit politik komunist, ish-komunistët, duke shfrytëzuar influencat e pushtetit që kishin, u lëshuan drejt pushtetit ekonomik. “Pas kryengritjes komuniste të vitit 97, socialistët e kthyen grabitjen e pronave, korrupsionin dhe monopolet në sistem politik”, citohet më tej. Në këtë kuadër, PBKD mendon se përveç abuzimeve me pronat, u duhet kushtuar më shumë vëmendje monopoleve ekonomike që u krijuan gjatë qeverisjes socialiste. “PBKD ka bindjen se procesi i dekomunistizimit të shoqërisë do ta lehtësonte shumë luftën kundër mafies dhe monopoleve ekonomike. Tentativa e komunistëve të rinj për të ardhur në pushtet me dhunë, nuk ka asnjë motiv veç interesave materialiste të klikës udhëheqëse”, përfundon kjo deklaratë.