Tiranë – Berisha, Këshill Ligjor kundër mafias

Duke njoftuar këtë vendim në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kryeministri tha se lufta kundër mafias është emergjente dhe qeveria do të përdorë të gjithë forcën e ekzekutivit në këtë luftë. Berisha bëri të ditur se ky Këshill do të ketë ekspertët më të mirë ligjorë të vendit dhe si qëllim do të ketë sugjerimin e hapave ligjorë në luftën kundër mafias. “Gjatë këtyre ditëve e kam theksuar se, në rast në mandatin e parë ne çmontuam një nga një bandat që bënin ligjin në qytete, rrethet dhe portet e këtij vendit, Nehat Kullat, Aldo Baret, Lul Berishat etj., tani kanë ngelur nehatët e kollarisur, kanë ngelur bosët e mafias. Në këtë luftë dhe në këtë përpjekje, në mënyrë kategorike nuk do të ketë ngjyra, se ngjyra e krimit ekonomik është ngjyra më e shëmtuar, do ketë qëndrim rigoroz ligjor. Në mënyrë absolute nuk do të ketë forcë që të pengojë këtë ekzekutiv pa ushtruar vullnetin e popullit shqiptar në luftën kundër mafias. Ajo që unë deklarova mbrëmë ju garantoj se është një dhe vetëm një pjesë, sepse tentakulat e saj të tmerrshme shtrihen në mbarë vendin. E dini këngën që këndohet në Himarë: Himarës ç”i zunë sytë… rreshtin tjetër nuk po e them se e bën mbledhjen më politike se ç’duhet. Por Himarës ia zunë sytë. Mjafton të shkoni në Himarë. Bukuritë natyrore të Himarës mafia i vuri perde dhe aq sa e sheh detin nga Tropoja, aq mund ta shohësh mbrapa perdes së Himarës. Ky është një aspekt” tha Berisha. Gjatë fjalës së tij ai u tha ministrave, se agjencitë e tyre kanë detyrimin e parë madhor betejën me zero tolerancë me mafian. “Kjo betejë ka nisur dhe do të vazhdojë me metodat më rigoroze dhe më serioze. Secila agjenci të shqyrtojë bazën ligjore që ka në luftën kundër mafias dhe në rast se ka nevojë, të ndërmarrë hapat për përmirësimin e saj. Departamenti i Luftën kundër Korrupsionit do të jetë Departamenti kundër Mafias. Sikundër një Këshill Ligjor për të ndihmuar kryeministrin dhe ekzekutivin në këtë luftë, me ekspertët më të mirë ligjorë të vendit, është i domosdoshëm të funksionojë. Koha është e ligjit, ligjit dhe vetëm ligjit. Ashtu si bëmë ligjin për bandat, që, në shumë raste, ata, absolutisht, ishin vetëm ushtarë të tyre. Kjo do t’i japë një zhvillim të fuqishëm këtij vendi” tha më tej Berisha.

Advertisement