Tiranë – Konferencë për shtyp e kryeministrit Sali Berisha, publikohet dosja me 750 milionë euro abuzime

Saturday, January 17, 2026

Zonja dhe zotërinj, të nderuar qytetarë shqiptarë! 5 muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit, të certifikuara universalisht, dy ish ministra të diktaturës hoxhiste dhe tre pinjollë të nomenklaturës, me në krye nipin e famëkeqit Spiro Koleka, njeriut që paditi dhe u rezervoi pushkatimin dhe shekuj burgje dhjetëra e dhjetëra intelektualëve shqiptarë të formuar në perëndim, të birit të të atit, skulptorit famëkeq, apo njeriut që së bashku me Ramiz Alinë do të firmosnin varjen dhe ekzekutimin e intelektualëve shqiptarë për bindjen dhe lirinë e mendimit – dhe kjo, jo në vitet 50 apo 70, por edhe në vitin e rrëzimit të Murit të Berlinit, në vitet 88 – 89, së bashku me një kupolë mafioze që ata drejtojnë, kanë vendosur të mos njohin legjitimitetin e zgjedhjeve, të mos njohin vullnetin tuaj, të mos njohin qeverinë dhe institucionet legjitime të dala nga zgjedhjet e 28 qershorit. Këta punistë dhe mafiozë, njëlloj si në kohën e tyre, duan t’i imponojnë pushtetit legjitim të dalë nga vota juaj e lirë, shqyrtim politik, me komision parlamentar të vendimeve të gjykatës, pasi ata nuk arritën me mjetet e tyre të përcaktonin rezultatin, njësoj si në kohët e shkuara. Hapja e kutive të votimit dhe rinumërimi i votave është kërkesa ultimative e këtij grupi punisto-mafioz, që kërkon me çdo kusht të nxijë një prej arritjeve më të mëdha në rrugën e demokracisë, zgjedhjet e 28 qershorit, kërkon të bllokojë me një donkishotizëm aventuresk rrugën tuaj drejt Evropës, heqjen e vizave dhe procesin e integrimit. Dua të theksoj se ky grup punistësh nuk udhëheq Partinë Socialiste, por udhëheq klanet e mafies më të rrezikshme në Ballkan, që e ka shndërruar Tiranën në një lavatriçe gjigande parash të pista, krimi monstruoz ekonomik, udhëheq kupolën e mafies shqiptare, Don Dollakun, Kokëdhinë, Besnik Sulën, Tomë Doshin, Yllin e partisë apo Fidel Yllin, Dash Pezën, Leskajn, etj. Këta zotërinj nuk kanë asnjë interes demokratik, kombëtar, njerëzor. Këta që shpenzuan me dhjetëra e milionë euro për të dhunuar votën tuaj dhe morën bërrylin, atë që meritonin, në zgjedhjet e fundit, kanë një hall të madh shumë, një hall të paimagjinueshëm. Perandorinë e tyre të krimit e pret fati i Aldo Bareve. Ky është zotimi im solemn. Këta nuk kanë hallin e kutive. Jo. Kanë hallin e ekonomisë së tyre, të bazuar fund e krye mbi krimin. Të dashur qytetarë, Sot unë kam këtu para jush një dosje e cila dëshmon se Tan Dollakët, Leskajt, Kokëdhitë, Besnik Sulajt, Tomë Doshi, Ylli i Partisë Socialiste e ndonjë tjetër, vetëm në 2-3 vitet e fundit kanë marrë, duke dhunuar ligje e prona, 500 mijë metër katror sipërfaqe ndërtimi, kjo është akoma e pa finalizuar, me një vlerë totale, duke filluar nga zemra e Tiranës dhe e gjitha unazës, që shkon në 750 milionë euro. Më lejoni të dashur qytetarë, t’i paraqes ato. Po filloj me Ilir Matën apo “kunatin e shokut Xhemal”, kunatin e Dashit, i cili na e pastron edhe qytetin, sepse tenderët e pastrimit të qytetit vetëm Dashi i fiton. Ilir Mata ka me firmën e Edi Ramës 21.350 metër katror leje ndërtimi. Në një vendim 11 mijë metër katror, në tjetrën 9700, e tenderë të tjerë. Të gjitha janë në dhunim të pronave e ligjeve. Pas tij vjen Nard konstruktori. Keni dëgjuar për “Nard construcion”, demokristian e ateist. Ai ka 27.743 metër katror, të gjitha në dhunim të ligjeve dhe pronave. Pas tij vjen Koço Kokëdhia apo Koço bashkia. Ai ka 24.800 metër katror leje të ndryshme ndërtimi. I përmendim me radhë; sipërfaqe ndërtimi 6.072 metra katror, me firmë të kryetarit Edi Rama, sipërfaqe 6.062 metra katror, me firmë të Kryetarit Edi Rama, 5.670 metër katror sipërfaqe ndërtimi, me firmë të Kryetarit Edi Rama, 6.950, me firmë të Edi Ramës, 6.108 metra katror sipërfaqe, me firmë të Edi Ramës. Pastaj në listë vjen Tomë Doshi, me një sipërfaqe prej 29.600 metër katror leje ndërtimi. I përmendim vendimet; Tomë Doshi 15.100 metër katror, në vitin 2007, me firmë të Kryetarit Edi Rama, 14.500, në vitin 2008, me firmë të Kryetarit Edi Rama. Pastaj vjen Ylli i Partisë, Fideli. Fideli ka 47.884 metër katror leje ndërtimi. Nuk është punë kutish këtu, është punë kasafortash. I rendisim: Fidel Ylli, 4.320 metër katror sipërfaqe, me firmë të Kryetarit Edi Rama, 21.532 metër katror, në vitin 2008, e tëra në dhunim të hapur të ligjeve, me firmë të Kryetarit Edi Rama, sipërfaqja tjetër e Yllit të partisë, Fidelit të Ramës, 21.532 metër katror, me firmë të Kryetarit Edi Rama. Pas Fidelit të partisë vjen Besniku i partisë, Besnik Sula, me 45.977 metër katror. I rendisim; në vitin 2008 ka marrë 9.266 metër katror, në vitin 2007 ka marre 26.820 metër katror, në 2007 ka marre 685 metër katror, në vitin 2008 ka marre 8.076 metër katror. Besnikun e ndjek Sadri Abazi, me 53.800 metër katror. Këto janë dhunime monstruoze në pronat e qytetarëve të Tiranës, por unë ju garantoj edhe në pronat publike. Këtu ka sipërfaqe me mijëra e mijëra metra katror të shitura nga Edvini Besnik Sulës, me 3 mijë lekë të reja metrin katror, flas gjithnjë për tokë brenda unazës së kryeqytetit. I rendisim: Sadri Abazi, 15.911 metër katror në vitin 2008, 5160 metër katror në vitin 2008, 21.970 metër katror. Këtyre sikur u pjellin kutitë toka. Arian Leskaj ngjitet më lartë në kupolë, ku ai vendoset me 61.840 metër katror leje ndërtimi. Në vitin 2008 ka marre 16.922 metër katror, në vitin 2007 ka marre 5.747 metër katror, në vitin 2007 ka marre 1.534 metër katror, në vitin 2008 ka marre 7.286 metër katror, në vitin 2005 ka marre 30.410 metër katror. Në krye të kupolës është Don Dollaku, me 145.366 metër katror, nga të cilat, vetëm tokë e vjedhur në zemër të Tiranës, tokë publike, është 54.153 metër katror, toka e supozuar sipas tyre te xhamia e Karapicëve, te Lidhja e Shtrimtarëve, etj, ku dokumenti paraqiste inaugurimin e saj në vitet ’32 dhe ne na servirej sikur na ishte ndërtuar pas lufte, sikur Xhani Anjeli kishte ardhur në vitin ‘52 për të shitur tokën që kishte blerë. Tan Dollaku, në zemër të Tiranës, ka përvetësuar me firmë të Edi Ramës 54.153 metër katror. Tan Dollaku, në vitin 2009 ka marrë 16.600 metër katror, në vitin 2005 ka marrë 14.273 metra katror, në vitin 2005 ka marrë 7.843 metër katror, në vitin 2007 ka marrë 1.680 metër katror, në vitin 2006 ka marrë 6.708 metër katror, në vitin 2007 ka marrë 1.031 metër katror, në 2007 ka marrë 204 metër katror, në vitin 2007 1.344 metër katror, në vitin 2006 ka marrë 11.050 metër katror, në vitin 2006 ka marrë 8.720 metër katror, në vitin 2007 ka marrë 11.050 metër katror, në vitin 2008 ka marrë 9.440 metër katror sipërfaqe ndërtimi. Të dashur qytetarë, Votën tuaj të lirë e bekuat ju të parët, me pjesëmarrjen masive në zgjedhjet e 28 qershorit. Votën tuaj të lirë e bekuan mbi 20 mijë komisionerë të PS-së, nga Qendrat e votimit të KQZ-së, të cilët, me një maturi të thellë demokratike dhe përgjegjësi të lartë ligjore, firmosën çdo dokument të këtyre zgjedhjeve, pa asnjë vërejtje. Votën tuaj të lirë e bekuan gazetarët e të gjitha mediave shqiptare, elektronike dhe të shkruara, të cilat me një profesionalizëm dhe shkallë të lartë përgjegjësie, raportuan qindra e mijëra orë të marra së bashku, u bënë dëshmitarë të procesit më të bukur, më të qetë, më të fisshëm, më ligjor që vendi ka njohur në historinë e tij. Pas zgjedhjeve, Edi Rama deklaroi se kishte bërë një dosje të madhe, me falsifikime, mashtrime, dhunime. Ishin mediat shqiptare ato që përqeshën paçavuren e tij, ndërsa ëach Dog-u ndërkombëtar e hodhi në koshin e plehrave, si një material të mbushur me falsifikime dhe shpifje. Zgjedhjet tuaja janë certifikuar nga 510 vëzhgues të OSBE/ODIHR, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të NATO-s, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të cilët konkluduan se në keto zgjedhje, ndryshe nga sa pretendon kupola punisto-mafioze, nuk pati asnjë provë për manipulim, as edhe një numërim të parregullt dhe se u përmbushën standardet kryesore të OSBE. Zgjedhjet tuaj, të dashur qytetar, u certifikuan nga qeveria e SHBA, e cila deklaroi në selinë e OSBE-së, se këto zgjedhje pasqyrojnë qartësisht vullnetin e popullit shqiptar dhe se qeveria shqiptare meriton urimet për punën dhe përmirësimet që bëri. Këto zgjedhje u certifikuan nga kryesia e radhës e BE-së, nga Presidenca suedeze, e cila, bazuar në raportin e OSBE-së, deklaroi se këto zgjedhje ishin zgjedhjet më të mira që ishin bërë ndonjëherë dhe se opozita duhej të zinte vendet në parlament. Këto zgjedhje u bekuan nga Komisioni Evropian, i cili i vlerësoi ato si më të mirat në historinë e vendit dhe i kërkoi opozitës të zërë vend në parlament. Këto zgjedhje u bekuan nga Parlamenti Evropian, që në një rezolutë, i drejtohet opozitës shqiptarë që të ndalojë menjëherë bojkotin. Këto zgjedhje u certifikuan nga 27 ministrat e vendeve anëtare të BE-së, të cilët miratuan kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Këto zgjedhje u bekuan nga të gjithë anëtarët e qeverive dhe ekzekutivëve të vendeve të lira, të cilët i dërguan Kryeministrit të vendit përshëndetjet më të përzemërta dhe gatishmërinë e tyre të plotë për të bashkëpunuar me qeverinë shqiptare në të ardhmen. Këto zgjedhje nuk i njohin një grusht individësh dhe kjo e sotmja është vetëm një arsye. Një kupolë mafioze, e cila vetëm në pronat e këtij kryeqyteti dhe vetëm në këtë dosje, ka vendosur një pasuri prej 750 milionë euro. Në qoftë se në mandatin e parë, ne ia dolëm t’i gozhdojmë bandat një nga një, nga Aldo Baret tek Dritan Dajti, pa diskutim që ky është mandati i gozhdimit tashmë i Aldo Bareve në pushtet, i Aldo Bareve me pamje xhentëlmeni, i Aldo Bareve që kanë vendosur miliarda euro pasuri krimi. Edhe njëherë, ju deklaroj me përgjegjësi se kjo nuk është e shumta, kjo është më e pakta. Ndaj këta zotërinj nuk njohin zgjedhjet. Ndaj edhe këta zotërinj shpërndajnë emisarët ditëzinj, ku kërkojnë të mos hiqen vizat. Ndaj këta zotërinj, vetëm 5 ditë më parë, do t’i deklaronin përfaqësuesit te KE-së se po të hiqni vizat për Shqipërinë, do të lemeriseni nga kriminelët shqiptarë. E vërteta është se kriminelët më të rrezikshëm shqiptarë janë pas hekurave. Disa kriminelë të tjetër, kupolë mafioze, i pret i njëjti fat. Unë garantoj kupolën e mafies se, darët e ligjit do të çmontojnë tërësisht perandorinë e tyre të krimit. Vullneti im dhe i kësaj qeveria është i hekurt. Ndaj dola sot këtu të paraqes këtë dosje,. Sigurisht, një për një, ato do të paraqiten nga zyrtarët e tjerë dhe nga agjencitë e tjera, sepse unë nuk kam ndërmend të vazhdoj serinë e ekspozeve. Por do t’ju faktojmë juve me harta, me dokumente, se si janë vjedhur dhe përvetësuar prona dhe do të kuptoni se përse kjo kupolë punisto-mafioze jep ultimatum, deklaron se do të bëjë thirrje për mosbindje civile, se ka rrethuar kështjellën për ta marrë, se do të hapë kutitë me forcë, se do të rrëzojë qeverinë. Të gjitha këto, i them zotit Rama, çoja Gramozit, kokëdhisë apo Don Dollakut. Çdokush mund të mendojë se është ashpërsuar qëndrimi ndaj opozitës. Absolutisht jo. Opozita ka vendin në parlament, është e mirëpritur. Oferta që unë i kam bërë opozitës është ofertë e ndershme dhe unë mund t’ju them ju se është konsideruar e tillë nga i tërë spektri politik evropian, me përgjegjësi të plotë. Opozita nuk do të jetë kurrë ajo që do të gjejë një gjuhë të tillë nga unë. Përkundrazi. Por kjo është një kupolë që nuk ka interesa të tjera, nuk ka interesa të demokracisë. Imagjinoni, sot Shqipëria është i vetmi vend në Evropë ku një pinjoll i “Bllokut”, deklaron se nuk njeh vullnetin legjitim të shqiptarëve, deklaron se do të shkelmojë mbi gjykatat, i kërkon Kryeministrit të ndërtojë komision hetimor për gjykatat. Nesër do të më kërkojë komision hetimor për të liruar Don Dollakun apo Aldo Baren, pasnesër do më kërkojë kompromis për t’i dhënë KRTRRSH-në që shqiptarët ia hoqën nga duart, për të vazhduar këtë krim monstruoz, ditën tjetër do kërkojë t’i jap Presidentin e Republikës, ashtu siç çon mesazhe poshtë e përpjetë, apo ndonjë llokmë tjetër. Opozita është e mirëpritur, oferta është e bërë, por në mënyrë absolute, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj kompromisi për vendimin e gjykatës. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj kompromisi për ndarje pushteti, siç kërkon ai. Këto të dyja t’i harrojë. Le të vazhdojë të gjitha përpjekjet me Kokëdhitë, me Don Dollakët etj. Unë do të vazhdoj qeverisjen time, do të vazhdoj betejën me zero tolerancë ndaj mafies shqiptare. Pyetje: Përse i hapni pikërisht tani këto dosje?. E dyta, ju thatë se mafia punisto-mafioze nuk përfaqëson partinë Socialiste. A ka një plan qeveria se si mund të tërheqë atë pjesë të opozitës drejt parlamentit, sepse këto dosje do t’’i hetojë edhe prokuroria, por situata duket më emergjente? Kryeministri Berisha: Në radhë të parë, këto dosje janë bomba që do të çaktivizohen. Unë ju garantoj se ky ekzekutiv do të përdorë gjithë forcën e tij për t’i bërë këto të paqena dhe do të vazhdojë betejën në të gjitha aspektet. Së dyti, opozitës i është bërë një ofertë, por mafia do pushtet, do me çdo kusht të mos njohë qeverinë legjitime, do të imponojë ndarje pushteti me të, të cilat nuk do të ndodhin kurrë. Përse tani kjo? Unë edhe para dy ditësh e kam shpjeguar këtë gjë. Ka katër vite që mes meje dhe Edi Ramës zhvillohet një betejë e padukshme, por një betejë e pashoqe në historinë e këtij vendi. Në janar të vitit 2006, ky zotëri, për të më treguar se i kishte në dorë zgjedhjet, më dërgon emisarë ku më kërkon shtytjen e zgjedhjeve që ishin në tetor 2008. Natyrisht, unë e kuptova ku ishte thelbi. Ju jeni dëshmitar se çfarë bëri ky zotëri në 2007-ën, procesin më të turpshëm në historinë e ndonjë vendi, ku çdo zgjedhës shqiptar, me pamfletin që prodhuan u shpall armik dhe i dyshimtë. Një libër të lexuar kaq mirë, edhe unë fillova ta përkthej si duhet. I dhashë atij carta bianca-n për reformën zgjedhore dhe bëra shumë mirë. Unë sërish ia jap, sepse unë kam detyrë të jap siguri të plotë për zgjedhjet. Kjo është detyra ime sa të jem në qeveri. Në mënyrën më të përsëritur, gjatë gjashtë muajve të fundit, me mijëra herë ai dizinkurajoi qytetarët shqiptarë për të marrë letërnjoftimet elektronike. Çdo javë i bëja lëshime, por asnjëherë aq sa donte, sepse isha i bindur se po t’i merrte të gjitha, ai do të listonte të tjera. Këtë ai nuk e kuptoi. Në fakt, unë po e tërhiqja, por në emër të një interesi shumë të madh, të pjesëmarrjes në zgjedhje, për asgjë qëllim personal, për asnjë qëllim partiak, por për një qëllim të madh të shoqërisë, në mënyrë që ai të mos bojkotonte zgjedhjet, siç diskutonte pothuajse çdo tre ditë për t’i bojkotuar. E konsideroj një nga arritjet më të mëdha të karrierës sime politike faktin që e bllokova terroristin Gramoz Ruçi që të mos përsëriste skenarin e vitit 1996. Ai është terrorist, i njohur për këtë. Por ai nuk mund ta bënte më dot atë skenar. Në rast se unë do të merresha me këtë dosje, ju garantoj se ata që e gozhdojnë sot PS-në për të marrë pjesë në parlament, ata s’do ta linin kurrë të merrej me zgjedhjet. Por çfarë bëjnë sot ata? Tomë Doshi i kërcënon ata me plumb pas veshit, ose u paguajnë shuma të mëdha mujore duke u thënë; ”merrini këto lekë dhe mos u ndieni për hyrjen në parlament”. Dhe nuk është vetëm Toma që bën këtë kërcënim, është edhe një tjetër. Unë kam bindjen se ata nuk ndajnë të njëjtin qëndrim, nuk janë ata anëtarët e kësaj force, ata janë përfaqësues të qytetarëve shqiptarë, por që kupola nuk i lejon. Pyetje: Ju sapo keni deklaruar fakte të rënda për deputetë të PS-së. Ju thatë se Tomë Doshi kërcënon deputetë të PS me armë. E Para, përse nuk e denonconi atë në prokurori, nëse keni prova. E dyta, a mund të na sqaroni dhe njëherë mesazhin që zoti Rama ju ka sjellë, sipas të cilit ju t’i jepni postin e Presidentit në vitin 2012, si kusht për të hyrë në parlament? Kryeministri Berisha: Së pari, për sa i përket Tomë Doshit, kjo gjë është e njohur. Pyesni deputetët e PS-së, janë jo një por disa që kanë marrë kërcënimin e tij. Kjo është reale. Së dyti, Tomë Doshi është një person që do të përballet me drejtësinë, por mos mendoni se është pa mbrojtje. Tomë Doshi, në mes të hotelit kryesor të vendit, shtroi për tokë, për vdekje një gazetar, një koleg tuajin dhe a keni dëgjuar ju që të vazhdojë procesi ndaj tij? Demokracia është betejë. Ndërsa, mesazhet e Ramës janë të pafundme, që nga fillimi, për të bërë koalicion, për të përjashtuar Ilir Metën, më pas për t’u bashkëngjitur, më pas për postin e Presidentit të Republikës. Por, nuk është hera e parë që e deklaroj se unë nuk pranoj të ndaj pushtetin me të, sepse kam një koalicion që funksionon. Ajo çka pranoj unë është që t’i krijoj të gjitha hapësirat opozitës dhe frymën e mirëkuptimit. Këtë pranoj unë dhe për këtë do të punoj e do ta bëj pa asnjë lloj hezitimi. Është i mjerë ai që përpiqet ta vërë në dyshim një pushtet legjitim, një vullnet të lirë. Pyetje: Zoti Mustafaj ka deklaruar në Ora Neës se zoti Rama tregohet i papjekur që nuk i njeh zgjedhjet, ndërsa zoti Berisha ka ashpërsuar gjuhën ndaj Ramës. Së dyti, z. Topi ka pohuar se do të jetë negociator për dialogun mes palëve, nëse palët do e kërkonin. Cili është mendimi juaj? Kryeministri Berisha: Këto pyetje bëjua këtyre personave. Jo mua. Sepse nuk është Kryeministri ai që mund he duhet të komentojë mendime dhe opinione të të tjerëve. Pyetje: Zoti Kryeministër, ju përmendët shumë persona që kanë shkelur ligjin, çfarë ligji konkretisht dhe kur do t’’i dërgoni dosjet e tyre në prokurori? Së dyti, a nuk është më mirë që të hapen kutitë e votimit, që edhe opozita të bindet për pretendimet e saj. Kryeministri Berisha: Sigurisht, në nomenklatura është shumë më mirë të dalim mbi gjykatat, siç dilte i ati i Edi Ramës. Por në një vend të lirë nuk dilet kurrë mbi gjykatat. Çështjen e kutive dhe kërkesat e Edi Ramës mund ta kem diskutuar me qindra personalitete ndërkombëtare, që nga dita zgjedhjeve deri më sot. Nga të gjithë ata kam vetëm një mesazh të prerë; kutitë nuk mund të hapen, votat nuk mund të rinumërohen sepse ka një vendim gjykate. Imagjinoni, pas hapjes së kutive, kur ai të thotë hajde të lirojmë Aldo Baren, ndryshe unë nuk hyj në parlament. Çfarë t’i them unë, që ka një vendim gjykate. Jo, do më thotë ai, nuk ka rëndësi. Nëse do ta bënim këtë, do të ishte gjëma më e zezë për vendin. Gjykatësit janë një grup njerëzish, të cilët, sipas kushtetutës demokratike, u kanë marrë pushtet përfaqësuesve të sovranit, për çështje gjykimi. Përse e kanë bërë këtë? Për t’’ua kufizuar politikanëve, për t’u thënë atyre se ju jeni të fuqishëm por jo të gjithëfuqishëm. Janë edhe këta, të cilët nuk janë zgjedhur si ju, nuk kanë bërë fushatë si ju, por kjo e drejtë është e tyre dhe nuk duhet t’ua prekni. Referojuni zgjedhjeve të vitit 2001, ku komuniteti ndërkombëtar është shprehur qartë se Gjykata Kushtetuese i ka marrë mandate opozitës. Ne krijuam komision parlamentar atëherë. Parlamenti Evropian e quajti atëherë parlamentin shqiptar se ai nuk e përfaqëson vullnetin e popullit shqiptar, por unë nuk kërkova kurrë të shqyrtoj vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sepse pastaj do të thosha që jam gjykatës e jo politikan. Këtë gjë e kërkojnë vetëm njerëz me një mendësi puniste të mirëfilltë, të pa reformuar dhe me interesa të mirëfillta mafioze, që vetëm me këtë dosje shkojnë 750 milionë euro. Unë ju garantoj se kjo është vetëm një pjesë, sepse dosje të tjera do të dalin para jush. Përsa u përket atyre, ekzekutivi do të merret me gjithë forcën ligjore të tij, pastaj do t’ia çojë edhe drejtësisë. Pyetje: Zoti Berisha, në fakt, përse ju nuk flisni në këto denoncime se sa prona kanë përfituar edhe Aleksandër Frangaj, Bashkim Mula, apo edhe pronari i kompanisë REDBULL? Kryeministri Berisha: Nëse ju dini se ata kanë marrë qoftë dhe një metër katror tokë në mënyrë të paligjshme, unë do të të falënderoja. Këto që unë denoncova janë të gjitha të ngritura mbi ankesat e pronarëve. A mund të më thoni, a dini ndonjë njeri tjetër që të ketë dashur të përvetësojë 54 mijë metra katror në qendër të Tiranës, përveç Don Dollakut?. Ju mund të rreshtoni një listë të tërë biznesmenësh, por thoni se ku e kanë shkelur ligjin. Unë këtu po e them për këta persona se ku e kanë shkelur ligjin. Ka përvetësuar 54 mijë metra në qendër të Tiranës, e faktuar dhe e dokumentuar tokë publike. Mund të listoni shumë të tjerë, sepse përmendët pak. Ka me dhjetëra ndërtues dhe të jeni të bindur që janë edhe të krahut të tyre, por i kanë marrë ato leje sipas rregullave, nuk kanë vjedhur në qendër të qytetit, as lulishtet. Ky është problemi. E dini se cdo të thotë kjo? Vetëm ajo pronë në qendër të Tiranës është 120 milionë euro. Edhe diçka tjetër. Emrat që përmenden, çdo gjë që kanë marrë e kanë marrë nga Edi Rama. Kontrolloni dosjet. Ligji është ligj. Këtu nuk bëhet fjalë për veprimtari ligjore, por bëhet fjalë për veprimtari mafioze të mirëfilltë. Pyetje: Me faktet që keni publikuar sot, me sa duket kriza politike do të vazhdojë të ashpërsohet dhe opozita do të vazhdojë të qëndrojë jashtë parlamentit. A do të keni ju një mënyrë për ta sjellë opozitën në parlament? Kryeministri Berisha: Nuk ekziston krizë politike. Kriza është kriza e mafies. Krizë politike ekziston në grupin mafioz, ekziston në PS e cila mbahet peng e kësaj kupole. Për çfarë krize politike bëni fjalë kur për Shqipërinë janë marrë vendimet më të mëdha dhe më të rëndësishme, pas këtyre zgjedhjeve? Mendoni ju se këto vendime do të merreshin, nëse do të kishte krizë në vend? A u morën këto vendime duke mos qenë opozita në parlament? Ju garantoj se secili nga ata burra e gra që kanë votuar për Shqipërinë, ka respektin më të madh për opozitën, për rolin e saj, nuk e ka bërë aspak për një gjest privilegjimi të Sali Berishës, por e ka bërë sepse ka konstatuar se kjo kupolë kërkon të mos njohë rregullin më fondamental të demokracisë, vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë. Kanë qenë në ato vendimmarrje, socialistë, demokratë, të cilët do ta shqyrtonin problemin me lupë. Nuk ka tragjedi më të madhe se sa të besohet mashtrimi i tij. Opozita është e mirëpritur në parlament, jemi të hapur në parlament. Por nga ana tjetër, nuk ka asnjë lëshim ndaj mafies. Zero tolerancë ndaj mafies. Perandoria e saj do të ketë fatin që patën bandat. Mandati i parë ishte mandati i asgjësimit të bandave, mandati i dytë është mandati i asgjësimit të klaneve mafioze. Ky është zotimi im para shqiptarëve. Pyetje: Zoti Berisha: Hapja e kutive dihet që është një kthim pas. Meqenëse opozita nuk i bindet as faktorit ndërkombëtar, si do të shkojë me tej kjo çështje? Kryeministri Berisha: Nuk është thjesht kthim pas. Është nxjerrja e gurit të themelit të ndërtesës që kemi ndërtuar në 18 vjet. Ditët e fundit, kupola punisto-mafioze, me kryetarin e saj Edi Rama, tek klubi i Fidelit, deklaroi se “nuk ka duhen të huajt”. Kjo është dëshmia më e qartë se ky grup, kjo kupolë ka vetëm interesa mafioze. Nuk ka në interesat e saj, lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Përkundrazi. Ishte e turpshme, e pa përgjegjshme, kur i deklaronin përfaqësuesit të KE-së se, nëse hiqni vizat për Shqipërinë do ta pësoni nga kriminelët shqiptar. Ai mbeti i mahnitur, por përgjigjen ua dha. Ju nuk mund të pengoni heqjen e vizave. Dërgoi ditëzinë me raporte, poshtë e përpjetë. Asgjë. Interesat e tyre nuk janë as vizat, as integrimi, as kutitë. Janë këto dosje, janë pronat e grabitura e plaçkitur shqiptarëve. Opozitës unë i ofroj, absolutisht, bashkëpunim të hapur e të sinqertë. Por opozita është nën thundrën e kupolës. Ligjin e bën kjo kupolë aty. Sigurisht, unë do të bëj çdo gjë që ekonomia shqiptare të çlirohet nga ekonomia mafioze. Shpresoj që kjo ta ndihmojë opozitën. Opozita e ka vendin në parlament dhe është e mirëpritur. Nëse do komisione hetimore, le ti ngrejë, për çdo problem tjetër, përveç se problemit gjyqësor. Do t’i japë edhe shumicën në këto komisione, edhe pse me ligj nuk lejohet, por që është e mundur sepse është një çështje midis nesh. Nuk është çështje me gjyqësorin, por është çështje brenda një pushteti. Nëse duan, le të hartojnë të gjitha amendamentet për zgjedhjet që vijnë. Do t’ua votojmë siç ua votuam. Dëshiron të vazhdojë protestat, detyra ime është të garantoj protesta pa asnjë lloj incidenti nga autoritetet. Nëse do të përdorësh dhunën, do të injorohesh. Unë e kam theksuar dhe e theksoj se për këto, nuk do të ketë njeri tjetër përgjegjës në Shqipëri përveç se Edi Ramës. Ai të jetë i bindur se përgjigjja do të jetë jashtëzakonisht e merituar. A e dini ju teorinë e tij të fundit? Revolucioni dihet se kur fillon, por nuk dihet se kur mbaron. Por le ta provojë. Unë ju falënderoj dhe ju siguroj se ky denoncim i sotëm është vetëm një fillim. U kërkoj ndjesë qytetarëve shqiptarë, por në emër të një interesi më të madhin që unë kam konsideruar, të zgjedhjeve, do të bëj detyrën time ndaj kësaj kupole mafioze, ndaj saj dhe ndaj cilësdo mafie. Mafia nuk ka ngjyrë, siç e shihni edhe vet, ata janë të përzier. Ne do të qëndrojmë fuqishëm.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -