“Katër anëtarë janë të zgjedhur nga Berisha dhe katër anëtarë të tjerë janë zgjedhur nga ne”, sqaroi kryebashkiaku Rama. “Deri në vitin 2007, shumicën që ka vendosur gjithçka në KRRT e Tiranës e ka pasur Sali Berisha”, deklaroi Rama. “Nuk ka asnjë leje ndërtimi ku unë të kem përdorur votën time”, tha Rama duke shtuar se çdo vendim është marrë me shumicë më të madhe se shumica e thjeshtë. Rama shtoi se çdo kontroll që është ndërmarrë nga mazhoranca e djathtë nuk ka nxjerrë asnjë shkelje në vendimet e dhëna nga KRRT e Tiranës. “Berisha ta harrojë se do të tërheqë popullin zvarrë me këtë maskaradë akuzash, duke tërhequr vëmendjen me të tilla akuza që ai do t’i duhet t’i provojë në gjykatat e këtij vendi dhe deri në gjykatën e Strasburgut”. Rama theksoi më tej se “ky paloburrë nuk ka pasur guximin të provojë asnjë akuzë të mëparshme të hedhur prej tij”. Më tej, Rama tha se “Berisha e ka kthyer në komedi, luftën kundër korrupsionit” dhe e akuzoi kryeministrin se “e ka kthyer në qenef debatin politik në Shqipëri”. Rama e konsideroi Berishën si “gërmadhë morale” që sipas tij, “këndon si gjeli në majë të plehut” duke iu referuar kutive të votimit që kryesocialisti i mban peng duke mos i hapur. Duke folur për afatin 10 ditor të dhënë nga opozita për hapjen e kutive Rama u shpreh se “opozita nuk ka dhënë ultimatum, por afat për reflektim”. Rama në këtë kuadër i deklaroi Berishës në distancë, se “nuk do t’ia dalësh kurrë të trembësh popullin opozitar që nuk ka darë për të shkulur dhëmbë, po ka grusht që do t’i thyejë, një e nga një, dhëmbët e korrupsionit tënd, dhëmbët e pushtetit të familjes tënde, dhëmbët e pushtetit të shërbëtorëve të tu dhe të klientëve e sekserëve të tu, dhëmbët e kësaj qenefpolitike që e ke kthyer në një gojë të stërmadhe që u ka nxjerrë shqiptarëve qejfit atdheun e tyre”. Pas mbylljes së maratonës treditore të protestës pranë Kryeministrisë, Edi Rama kishte deklaruar se i jepte në mënyrë ultimative 10 ditë afat Berishës për të hapur ose jo kutitë, ndryshe, do të rrëzohej qeveria: “Beteja jonë për hapjen e kutive të 28 qershorit, për transparencën e plotë të zgjedhjeve, për legjitimin e parlamentit shqiptar do të vazhdoj më tej, në një betejë të rezistencës aktive, politike e qytetare kudo, çdo ditë, e me çdo mjet të protestës, përballë një qeverie, që brenda 10 ditësh duhet të zgjedhë përfundimisht: Ose të hapë kutitë, ose të pranojë rënien e saj”. Për të përforcuar deklaratën, Rama sqaroi se “rrugë të mesme mes lirisë dhe mungesës së lirisë nuk ka, rrugë të mesme mes të drejtës dhe padrejtësisë nuk ka, zgjedhje të lira ose jo të lira, edhe të drejta edhe të padrejta, edhe me apo standarde dhe pa standarde nuk ka”. Kurse vuri në dukje edhe se “ne nuk po kërkojmë pushtetin, por të drejtën tonë demokratike e ligjore për të parë votën nga ka dalë pushteti. Në qoftë se pushteti na mohon të drejtën të shohim, ne do t’i mohojmë pushtetit, të drejtën që të na qeverisë”. Kjo deklaratë e Ramës vinte dy ditë pasi në çelje të protestës, kishte deklaruar se në qoftë se qeveria s’ka kurajë të bëjë bashkë me opozitën transparencën e zgjedhjeve, duke hapur kutitë në sytë e publikut për të marrë të gjitha masat ligjore, që çdo shkelës i ligjit në këtë proces zgjedhor të çohet para drejtësisë dhe çdo përmirësim ligjor të bëhet nga parlamenti, atëherë s’ka as arsye që vetë qeveria të qëndrojë mbi kutitë e mbyllura. Dhe në këtë kuadër, theksoi: “Shkurt e troç: Në qoftë se kutitë do të mbahen forcërisht të mbyllura, ne do të kërkojmë me forcë largimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme”.
RELATED ARTICLES


