Tiranë – Kongresi i PLL, rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit nuk përputhet me realitetin

Rezoluta e konsideroi atë si rezultat jo real e që nuk përputhet me përkrahjen e vërtetë dhe peshën elektorale që ajo gëzon. Kongresi theksoi se pavarësisht punës dhe fushatës voluminoze, ishin faktorët e jashtëm ata që e imponuan rezultatin zgjedhor të PLL. Nga ana tjetër, u shpreh bindja se PLL i ka të gjitha mundësitë për të rifituar peshën elektorale dhe se për këtë qëllim është i domosdoshëm një organizim serioz dhe kapilar i të gjitha strukturave. Në kongres, me votim të fshehtë u rizgjodh si Kryetar të PLL z. Ekrem Spahiu. Kongresi i PLL theksoi trashëgiminë e vet politike si një parti kombëtare me kontribute të rëndësishme qysh nga viti 1924 e deri ne ditët tona. Kongresi vlerësoi arritjet historike të Kombit tonë, krijimin e shtetit të Kosovës, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, pranimin e aplikimit të vendit tonë për anëtarësim në BE, etj. Kurse përshëndeti zhvillimin e zgjedhjeve të para vendore në Kosovën e lirë si edhe vlerësoi pjekurinë dhe maturinë e klasës së atjeshme politike për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme. Kongresi nënvizoi arritjet brenda vendit dhe rolin e kësaj maxhorance qeverisëse në sukseset e arritura si dhe shprehu nevojën për mos ndërprerjen dhe uljen e ritmit të reformave të ndërmarrja. Ndërsa e konsideroi me legjitimitet të plotë maxhorancën aktuale dhe rikonfirmoi pozicionin politik të PLL si parti e koalicionit qeverisës. Kongresi i PLL vlerësoi platformat e të dy kandidatëve për Kryetar të partisë dhe kërkoi prej strukturave të ardhshme drejtuese që në aktivitetin e ardhshëm të partisë të merren në konsideratë që të dyja. Ndërsa i quajti destruktive qëndrimet politike dhe veprimet e opozitës së majtë dhe kërkoi prej saj qe t’i japë fund kundërvënies ndaj interesave kombëtare. Kongresi shprehu nevojën e thellimit të identitetit te saj si një parti konservatore, nacionaliste e monarkiste si dhe vendosi që, në funksion të zgjerimit të identitetit të saj, në programin e PLL të shtohet paragrafi “PLL është parti e njerëzve që besojnë në Zot, vlerat hyjnore dhe rolin e rëndësishëm që kanë bashkësitë fetare për ndërtimin dhe zhvillimin e konstruktit shpirtëror të kombit.”

Advertisement