Durrës – Xhaferri, Rama i tmerruar nga liberalizimi i vizave

Deklaratën, Ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri e bëri në Kuvendin e 9-të të degës së Partisë Demokratike në Durrës, duke marrë shkas nga kërkesa e opozitës për hapjen e kutive të votimit. Ai tha se besimin e qytetarëve, qeveria e Partisë Demokratike po e konverton në arritje. “Arritja më e madhe është liberalizimi i vizave, të gjithë zyrtarët evropianë kanë deklaruar se në 6-mujorin e parë të vitit 2010, do të liberalizohen vizat. Këtu fillon tmerri i liderit të opozitës Edi Rama”. Më tej ai iu drejtua kryetarit të PS në distancë: “Unë i them Edi Ramës, është i vetmi politikan në Shqipëri që nuk ka dalë asnjëherë përpara qytetarëve durrsakë, që nuk ka dalë asnjëherë përpara qytetarë shqiptarë, e të bëjë kërkesë për liberalizimin e vizave. Këtu fillon tmerri i tij dhe këtu fillon strategjia e tij për të penguar liberalizimin e vizave”. Kurse shtoi se “Zgjedhjet që lamë pas, ishin të vetmet zgjedhje që nuk kanë nevojë që të hapen kutitë sepse çdo fletë votimi nga veriu deri në jug të vendit doli para kamerave”. Xhaferri ka shprehur mirënjohjen ndaj qytetarëve shqiptarë që me votën e tyre i besuan sërish qeverisë aktuale, duke përmendur se sipas tij, shumë premtime të qeverisë së mëparshme u realizuan. Xhaferri përmendi “zgjidhjen përfundimtare të problemit të energjisë elektrike, investimet pafund në infrastrukturë, që përfunduan me rrugën që lidh Prishtinën me Durrësin”. Kurse u ndal tek rritja e pagave dhe pensioneve dhe te “lufta kundër korrupsionit” si dhe faktin që Shqipëria aplikoi për në Bashkim Evropian, nënshkroi MSA-në dhe arriti anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Advertisement