Kryeministri Berisha tha në fjalën e tij se ky nuk është një proces i thjeshtë por i domosdoshëm në procesin e integrimit të vendit në BE. “Ky është një prej kushteve, një prej standardeve evropiane, pasi në asnjërin prej vendeve të lira të Evropës dhe botës nuk është ushtria ajo që kontrollon kufijtë, por janë rojet bregdetare, të cilat kanë funksionim dhe organizimin krejt tjetër, ato të cilat e kryejnë këtë detyrë”, tha Berisha. Kryeministri shpjegoi se në rastin e Shqipërisë apo edhe të ndonjë vendi tjetër të BE, është bërë një zgjidhje e ndërmjetme, në mënyrë që procesi të mos ketë kosto të larta financiare. “Po të krijojmë dy roje bregdetare, një për ushtrinë dhe një për Ministrinë e Brendshme është e kushtueshme. Për këtë qëllim është bërë zgjidhja që roja bregdetare që merrte ruajtjen e kufirit do të ketë komandë civile dhe do të jetë nën drejtimin e përbashkët të ministrisë së Brendshme dhe forcave ushtarake”, u shpreh Berisha. Kryeministri tha se ky model, i cili i përshtatet më së miri Shqipërisë, ka miratimin e plotë edhe të institucioneve përkatëse të BE.