Vlorë – Rama, me bojkotin luftojmë për lirinë dhe të drejtat

Me këto fjalë, kryetari i PS, Edi Rama, ka rikonfirmuar qëndrimin e opozitës, të pandryshuar megjithë deklaratat brenda dhe jashtë vendit, presionet e ndërkombëtarëve që ditët e fundit kanë kërkuar zgjidhjen e krizës politike. Në fjalën e tij, Rama deklaroi se ky bojkot është e vetmja rrugë për të luftuar për liri e të drejta si pasojë e shpërfytyrimit të pushtetit ekzekutiv në një pushtet oligarkik; Ky bojkot, tha Rama, vjen si pasojë e moslejimit që Shqipëria reale juaja, e gjithë shqiptarëve, të mos humbasë dinjitetin përballë një Shqipërie të zyrtarëve të korruptuar dhe sukseseve imagjinare. “Opozita jonë nuk kthehet pa kushte në kuvendin e kthyer në një sallë të këshillit kombëtarë të PD. S’ka zgjidhje kështu. Kriza s’buron nga bojkoti, por nga konflikti mes pushtetit e parimeve demokratike Kjo na ka çuar në bojkot”, u shpreh Rama. Sipas tij, protesta e 20 nëntorit nuk do të shënojë fundin e kërkesave të opozitës. Në këtë protestë duhet të bashkohen të gjithë ata që mbetën të zhgënjyer nga pushteti i Berishës, ish të përndjekurit, ish pronarët, ish minatorët, të gjithë duhet të mblidhen më 20 nëntor, në mbrojtje të të drejtave të tyre.

Advertisement