Kosovë – Sot heshtje parazgjedhore

AKR e mbylli fushatën e saj me një miting në qendrën e Prishtinës, të shoqëruar me fishekzjarre dhe muzikë. Kryetari i kësaj partie, Behxhet Pacolli i ka bërë thirrje simpatizantëve që të votojnë për ndryshimin. Ndërsa kandidati i kësaj partie për Prishtinën, Vegim Gashi ka premtuar zhvillimin e kryeqytetit. “Ne nuk do të lejojmë që të mungojë zhvillimi, nuk do lejojmë që Kosova të mbetet një ishull i mungesës së zhvillimit”, – ka deklaruar ai. Edhe LDK-ja mbylli fushatën e saj me një apel të kandidatit Isa Mustafa kundër qeverisë së drejtuar nga Hashim Thaçi. Ndërsa kandidati i PDK-së, Astrit Salihu zhvilloi një takim me përfaqësues të biznesit, të cilët i ka garantuar se ka një strategji të posaçme për zhvillimin e tij. Ndërkohë, serbët kanë njoftuar se do të bojkotojnë këto zgjedhje lokale në shtetin më të ri në botë. Lideri serb, Oliver Ivanoviç tha se “serbët nuk e njohin shtetin e ri të Kosovës dhe se kjo është arsyeja që nuk mund t’i binden autoriteteve kosovare”. Ivanoviç tha se serbët presin vendimin e Hagës në lidhje me pavarësinë e Kosovës dhe se axhenda e Serbisë synon rrugën e përbashkët europiane. Përfaqësues të lartë vendas e ndërkombëtar, ritheksuan dje rëndësinë e këtyre zgjedhjeve dhe bënë thirrje për shmangien e çdo veprimi të dhunshëm që mund të dëmtonte procesin. Mijëra vëzhgues vendas e të huaj do të përcjellin procesin e votimeve, të cilat organizohen për herë të parë nga vetë institucionet e Kosovës. Policia në Kosovë thotë se është angazhuar për të siguruar rendin gjatë ditës së zgjedhjeve lokale. Rreth 5 mijë policë do të jenë në detyrë më 15 nëntor për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Advertisement