Sipas ministrisë së Brendshme situata më problematike paraqitet në veri të vendit ndërsa janë marrë të gjitha masat për tu ardhur në ndihmë banorëve të këtyre zonave. Shtabet e emergjencës nën drejtimin e prefektëve në çdo qark të vendit po evidentojnë dëmet e shkaktuara nga reshjet dhe janë në kontroll të plotë të situatës duke informuar dhe koordinuar në mënyrë të vazhdueshme me Ministrinë e Brendshme. Ja cila është situata e krijuar sipas ministrisë së Brendshme pas reshjeve në qarqet ku janë evidentuar probleme: Qarku Shkodër: Situatë problematike në Shkodër mbetet aksi rrugor që lidh Shkodrën me Dukagjinin, në vendin e quajtur Lotaj, si rezultat i shembjes së dheut në një gjatësi 80 metra. Situata e krijuar për shkak të ujërave në tokën bujqësore në këtë qark është në përmirësim të vazhdueshëm. Hidrovorët punojnë me kapacitet të plotë. Qarku Lezhë: Si rezultat i reshjeve në një sipërfaqe të konsiderueshme të tokave bujqësore, kemi prezencë uji, veçanërisht në fshatin Barbullojë, Komuna Kolsh. Të shtatë hidrovorët në këtë qark punojnë pa ndërprerje. Shtabi i Emergjencave Civile po e ndjek situatën me përparësi. Qarkullimi rrugor në rrugët nacionale nuk ka asnjë problem. Qarku Durrës: Situata në qarkun e Durrësit, ka ardhur drejt përmirësimit. Gjatë gjithë ditës makinat zjarrfikëse kanë punuar në zonën e plazhit për largimin e ujit nga banesat. Shtabi i Emergjencave Civile është në ndjekje të problemeve. Qarku Vlorë: Situata paraqitet pa probleme. Shtabi i Emergjencave Civile po ndjek dhe monitoron situatën e lumit Vjosa, për nivelin e ujit. Qarku Korçë: Nga reshjet e këtyre ditëve edhe në qarkun e Korçës, janë paraqitur disa probleme, kryesisht dalje të ujërave në segmente të ndryshme të rrugëve, por ato janë eliminuar me shpejtësi. Për momentin është problem ngritja e nivelit të ujit në lumin Devoll. Për mbajtjen nën kontroll të situatës, grupi i punës ka mbyllur portat në portbarazhin e Sovjanit, për të mos lejuar futjen e ujit nga lumi Devoll në Kolektorin e Sovjanit. Qarku i Fierit: Rritja e lartë e nivelit të lumit Vjosa ka influencuar në rritjen e nivelit të ujit në të gjithë rrjetin e kanalizimeve, duke shkaktuar përmbytje në toka bujqësore dhe duke krijuar rrezik në disa fshatra edhe për përmbytje të disa banesave të veçuara. Gjatë mbrëmjes së djeshme dhe gjatë natës u evidentuan dalje të lumit në tokë bujqësore në Kutë, Tojkan dhe Hambar të Komunës Cakran, Kashishtë dhe Çerven të Komunës Frakull dhe Ferras e Poro të Komunës Levan. Në Çerven, Kashisht dhe Poro u evidentuan edhe përmbytje të disa oborreve të shtëpive. Për të shmangur çdo rrezik të mundshëm u bë evakuimi i tre familjeve në Çerven nga forcat policore dhe FNSH.