Në këtë veprimtari morën edhe pjesë përfaqësues të lartë të vendeve te Europës Juglindore që mbulojnë çështjet e politikës së jashtme dhe të integrimit europian, si dhe zyrtarë të Bashkimit Europian që mbulojnë çështjet e zgjerimit. Në tryezë, u diskutua për perspektivat e Ballkanit Perëndimor në këndvështrimin e raporteve të fundit të progresit të Komisionit Europian. Gjatë panelit të diskutimit me temë: Mbajtja e Ballkanit Perëndimor në rrugën e reformave: Kush po sfidon kë, e mori fjalën Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të PSSh-së, deputetja Arta Dade. Gjatë diskutimit të saj Dade theksoi se integrimi europian është sfida më e rëndësishme për Shqipërinë që nga rënia e sistemit komunist. Ky proces përbën ende për shumicën dërrmuese të shqiptarëve, aspiratën më të qëndrueshme, më afatgjatë dhe më të palëvizshme. Anëtarësimi në NATO dhe hapja e një perspektive për avancimin e statusit tonë në BE, janë premisat për përmbushjen e objektivit strategjik kryesor të vendit tonë. Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare vuri në dukje rolin e Partisë Socialiste si një faktor vendimtar në përgatitjen dhe konsolidimin e terrenit për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe Bashkimin Europian. Në tetë vjetët e qeverisjes së saj, tha më tej Dade, PSSH ka sjellë normalizimin gradual të situatës në vend, si dhe ka hedhur hapa të sigurt drejt një dialogu të qëndrueshëm e konstruktiv me partnerët europianë dhe euro-atlantikë. Integrimi i vendit në NATO, në prill 2008, është shembulli konkret i këtij vullneti të palëvizshëm të opozitës së majtë. Por integrimi në NATO nuk duhet keqpërdorur politikisht. Me të nuk duhet abuzuar, ashtu siç ndodhi në zgjedhjet e fundit, ku një vend anëtar i Aleancës Atlantike rrëshqiti tërësisht nga standardet e organizatës në lidhje me zgjedhjet. Duke u ndalur në procesin zgjedhor Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare vuri në dukje se PSSh i ka kontestuar hapur shkeljet e rënda dhe manipulimet masive që u vunë re në votimet e 28 qershorit. “Ne kemi marrë vendimin për ta kushtëzuar hyrjen tonë në Kuvendin e Shqipërisë, me hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimin e votave në të gjitha ato pjesë të vendit ku ka kontestime dhe prova për dhunë, parregullsi dhe manipulime”. “Më 28 qershor, vijoi Dade, PD dhe Kryeministri Berisha abuzuan me votat e shqiptarëve dhe me besimin e bashkësisë ndërkombëtare. Ajo vlerësoi se rezultati i zgjedhjeve, ku askush nuk fitoi maxhorancën, doli pas një procesi ku opozita u përball me dhunën e shtetit, me intimidimin e votuesve, me përdorimin e hapur dhe banal të fondeve publike në interesin elektoral të njërës palë dhe me përdorimin ekstrem të administratës shtetërore dhe kapaciteteve të saj në funksion të fitores së Partisë Demokratike. “Siç e ka nënvizuar raporti final i OSBE/ODIHR, votat e shqiptareve u numëruan në një të tretën e tyre keq ose shumë keq”, citoi Dade, duke shtuar: “Nuk ka ligj që e ndalon investigimin e zgjedhjeve”. Dade tha më tej, se mbledhja e fundit e Këshillit Europian para dhjetë ditësh, është një pasqyrë e qartë e dilemave e ndarjeve të thella që konsiderojnë brenda vendeve anëtare lidhur me dhënien ose jo të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë e kjo i detyrohet jo vetëm zgjedhjeve të manipuluara të 28 qershorit, por edhe rekordeve të rënda negative që shumica që drejton vendin ka akumuluar gjatë mandatit të parë qeverisës. Edhe procesi i integrimit europian në elementët e tij konkrete, përfshihet për fat të keq në këtë hulli zhvillimesh politike e sociale të dominuara nga mungesa e stabilitetit dhe e standardit demokratik, tha Dade. Për shkak të kësaj mungese vizioni dhe vullneti politik të qeverisë, vijoi Dade, në vendin tonë vazhdojnë të mungojnë strukturat e posaçme për procesin e përafrimit të legjislacionit me acquis communautaire. Kësaj situate, theksoi ajo, i shtohet një politizim i skajshëm i administratës publike, në shkelje të hapur të ligjeve organike që rregullojnë rekrutimin dhe lëvizjen e nëpunësve civilë. Në përfundim, Dade kujtoi edhe se në raportin e shkuar të progresit të BE për Shqipërinë vihej re se “mungesa e mekanizmave të shëndetshëm të përgjegjshmërisë në administratën publike shton rastet për anashkalimin e procedurave të vendosura. Emërimet vazhdojnë të kryhen përmes linjave partiake në kundërshtim me Ligjin e Shërbimit Civil”. Këtu, Dade deklaroi se ky fenomen është bërë i dukshëm sidomos gjatë dhe pas zgjedhjeve të 28 qershorit, “kur maxhoranca e Kryeministrit Berisha ka ndërmarrë spastrime politike masive në radhët e administratës publike”. Dade, siguroi se Partia Socialiste ka protestuar me forcë ndaj këtij procesi negativ dhe të dëmshëm për cilësinë e administratës tonë shtetërore.