Tiranë – Studentët e Bujqësorit bojkotojnë mësimin

Saturday, December 6, 2025

Kanë qenë mëse 300 studentë, të shoqëruar madje edhe nga disa prindër të tyre, të cilët kanë ndërmarrë një masë të tillë që shoqëron situatën e rënduar në të cilën gjenden prej ditësh kolegët e tyre të futur tashmë në një grevë urie. Bëhet me dijeni se në këtë protestë kanë qenë të pranishëm edhe forca policore, të cilat janë munduar të stabilizojnë situatën e rënduar të krijuar në vendngjarje. Greva e shpallur prej studentëve të Kamzës është sot në ditën e saj të tetë dhe ata pohojnë se megjithëse ka kaluar kaq shumë kohë, ende nuk kanë marrë një përgjigje nga rektorati për kërkesat e tyre. Studentët e Universitetit Bujqësor të Kamzës kanë paraqitur si kërkesë të tyre kryesore, atë të mosnjohjes së kriterit të mesatares për të vijuar studimet në nivelin e tyre universitar. Ndërkaq, disa prej studentëve të grevës së urisë kanë nisur të shfaqin probleme serioze shëndetësore, duke u urdhëruar në mënyrë kategorike prej mjekëve që të dalin prej saj. Gjendja e tyre ditën e sotme është përkeqësuar edhe më shumë, çka ka nxitur edhe reagimin e ashpër të 300 studentëve të tjerë në dyert e fakultetin mëngjesin e sotëm.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -