Nga qyteti juglindor i Korçës, Rama i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha të lexojë votën e manipuluar të elektoratit të majtë. “Ne nuk hymë dhe nuk do të hyjmë në Kuvendin e Shqipërisë për t’u bërë bashkëfajtorë”, tha Rama dhe vijoi me apelin ndaj Berishës: “Hapi rrugë transparencës, për korrigjimin e gjithçkaje që ndodhi dje, se vetëm kështu vendi mund të shkarkohet nga barra e rëndë, vetëm kështu kriza e frikshme që ka kapur shtetin e së drejtës do të vlerësohet dhe përballohet pa pasojat e rënda dhe të pashmangshme që nuk janë të vështirë të parashikohen në rrugën ku qeveria jote Sali Berisha e ka futur vendin”. Lideri i opozitës ka ftuar gjithë shqiptarët kudo ku janë të vijnë e të protestojnë më 20 nëntor në Tiranë kundër murit të politikës së vjetër e cila po mban peng lëvizjen e lirë të tyre. “Në 20 nëntor ne do të protestojmë për të rrezuar murin që prej dy dekadash ka penguar lëvizjen e lirë”, tha Rama gjatë mitingut në Korçë. Kjo është protesta e pestë që organizon PS pas mitingut në Shkodër, Lushnjë, Berat e Elbasan.