Tiranë – Uithers, do të luftoj për të drejtat e medias

Një fakt të tillë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John Uithers e ka pohuar gjatë një takimi të zhvilluar nga Unioni i Gazetarëve me tematikën “Midis lirisë së dhunuar dhe informalitetit”. Zyrtari i lartë amerikan, duke iu referuar konkretisht incidentit të fundit, ku gazetari Mero Baze u godit fizikisht nga biznesmeni Rezart Taçi, tha se nuk mund të mohohet fakti se Baze kishte bërë shkrime kritike ndaj abuzuesve dhe kjo mund të jetë edhe arsyeja e ndërmarrjes së sulmit ndaj tij. Në lidhje me këtë, ai ka pohuar se duhet një reagim dhe shpjegim institucional i çështjes, duke përgëzuar me këtë rast, reagimin e kryeministrit Berisha rreth saj. “Por ka patur edhe raste të tjera të dhunës ndaj gazetarëve, si përshembull ajo e ushtruar nga deputeti Tom Doshi”, përmendi ndër të tjera ambasadori Uithers. Në fund të fjalës së tij, përfaqësuesi i shtetit amerikan në Shqipëri ka bërë me dije se ai do të vazhdojë të luftojë për të drejtat e medias.

Advertisement