Pohimin e bëri Erjon Prifti drejtor në Drejtorinë e Tatimeve, i cili tha gjithashtu se kjo kompani nuk është e pajisur me matësa, që do të përcaktonin saktë sasinë e naftës që përpunohet, depozitohet dhe nxjerrjen e saj në treg. Administrata tatimore sqaron se vendosja e kësaj aparature është detyrim ligjor, të cilin Rezart Taçi ende nuk e ka plotësuar. Ndaj sipas Priftit, kjo është një nga arsyet e bllokimit të punës. Ky fakt vë në pikëpyetje xhiron reale të kompanisë e për rrjedhojë edhe tatimet që ajo paguan kundrejt shtetit. Z. Prifti, evidenton Ligjin për Akcizat, e konkretisht nenin 31 pika 2, sipas të cilit: “Të gjitha furnizimet e marra dhe të gjitha lëvrimet të nënprodukteve të naftës, për qëllime të këtij ligji duhet të maten me një aparat matës, që tregon sasinë e lëngut që rrjedh në të. Pajisja paraqitet nga personi i autorizuar i depos dhe miratohet nga organi tatimor”. Në këtë mënyrë ky detyrim ligjor është shmangur nga kompania në mënyrë të përsëritur, pavarësisht kërkesave të Tatimeve. Sipas Priftit, Drejtoria rajonale e Tatimpaguesve të Mëdhenj në mënyrë të përsëritur ka dërguar urdhra të tillë për bllokimin e punës, por ka hasur në kundërshtimin e firmës. “Megjithëse ka kaluar një vit nga koha e privatizimit, kompania Armo ende nuk ka plotësuar dokumentet e nevojshme për të vijuar punën në përputhje me ligjin”, ka evidentuar Prifti. Sipas tij, përveç matësve kompania nuk është e pajisur edhe me magazinën tatimore, edhe ky një detyrim ligjor. “Sistemi ynë tatimor bazohet në vet deklarimin e subjektit, por nga ana tjetër i njihet si atribut edhe organit të tatimeve të kontrollojnë në rast se mendojnë se ka shkelje apo abuzime. Por në rast se biznesi nuk plotëson dokumentet ligjore, si dhe nuk pajiset me matës, atëherë kontrolli është i pavlerë” thotë Prifti.

Advertisement