Pika më kryesore e debatit duket se do të jetë projektvendimi mbi planin rregullues të Tiranës, i cili sipas axhendës paraprake të Këshillit Bashkiak është vendosur në fund të rendit të ditës të mbledhjes së sotme. Zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, Valbona Zhupa, tha se diskutimi për planin është caktuar në pikën e fundit të rendit të ditës dhe do të prezantohet nga Drejtori i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, Dritan Agolli. Miratimi i planit rregullues të Tiranës në Këshillin Bashkiak është hallka e dytë që duhet të kalojë ky plan pas miratimit në Këshillin e Rregullim-Territorit të Tiranës. Më pas vendimi përfundimtar merret nga KRRTRSH-ja, Këshilli i Rregullim-Territorit të Republikës së Shqipërisë. Në fokus të diskutimeve do të jenë dhe projektvendime të tjera jo pak të rëndësishme si subvencionimi i kredisë për familjet që e përfitojnë atë, trajtimi me bono qiraje i familjeve në nevojë. Gjithashtu një pikë e rëndësishme e diskutimeve në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, do të jetë dhe projektvendimi “Për miratimin e programit buxhetor afat-mesëm për vitet 2010-2012”.

Advertisement