Tiranë – Ministri Tafaj, mbështetje nxënësve e mësuesve, modernizim të shkollave

Gjatë vizitë së tij Ministri Tafaj, evidentoi se arsimi profesional përbën një sektor prioritar të programit qeveritar për arsimin shqiptar. Tafaj u shpreh se pas vendimit të disa ditëve me parë të Këshillit të Ministrave, po stimulohen financiarisht më bursa të gjithë nxënësit e vitit të parë dhe po punohet edhe për krijimin e një paketë nxitëse në formë granti për t’iu dhënë mundësinë të reja vetëpunësimi. Gjithashtu Tafaj vlerësoi së Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) po punon intensivisht për modernizimin e shkollave profesionale që ato të jenë baza të qëndrueshme të formimit teorik dhe praktik sipas standardeve evropiane. Duke folur për ligjin e ri të arsimit profesional, Ministri garantoi nxënësit dhe mësuesit se MASH do të krijojë hapësirën e plotë që shkollat profesionale të zhvillojnë elementin e biznesit të vet, duke u mbështetur në modelet më të përparuara të arsimit profesional për ta kthyer këtë sektor në shkollim real që do ti shërbejë tregut aktual të punës. “Bashkëpunimi me biznesin privat për shkollat e arsimit profesional, është thelbësor”, vlerësoi Tafaj, “pasi mbetet ende prioritare mënyra dhe cilësia e përthithjes së nxënësve nga këto biznese”. Vendosja e rrugëve të reja të bashkëpunimit më biznesin vendas do të krijojë lehtësira punësimi, hapësira për vetëpunësim dhe njëkohësisht mundësinë për vazhdim të shkollimit të tyre të mëtejshëm në fushat e interesit. Kreu i arsimit shqiptar duke u ndalur në cilësinë e mësimdhënies theksoi kualifikimin profesional që duhet të arrijnë mësuesit. “Ne mbështesim me përparësi kualifikimin e mësuesve në Arsimin Profesional dhe inkurajojmë universitetet të hapin kurse trajnimi e programe studimi të nivelit master, për mësues për këtë sektor.” Në këtë kuadër, Ministri kërkoi nga stafi pedagogjik përkushtimin e tyre në punën që ata duhet të bëjnë me nxënësit dhe prindërit me qëllim që të tërheqin interesin e tyre për përparësitë që sjell përfshirja në arsimin profesional. Duke u ndalur në bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarët sidomos në fushën e arsimit profesional, Tafaj vlerësoi se tashmë MASH ka një rrjet të zgjeruar bashkëpunimi me organizma të huaj që kanë kontribuar dhe që po mbështesin në mënyrë intensive arsimin profesional. Në përfundim Ministri Tafaj u shprehu se “Progres Raporti i Bashkimit Europian publikuar së fundmi thekson se fusha e arsimit është vlerësuar mirë veçanërisht për përpjekjet e bëra në zhvillimin e arsimit profesional sipas standardeve evropiane”.

Advertisement