Kosovë – Di Carlo, Kosova duhet të veprojë e pavarur

Një fakt të tillë e ka theksuar gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Rozmari di Carlo. “Përshëndes rolin e UNMIK-ut, por vlerësoj se në planin ndërkombëtar Kosova duhet të veprojë e pavarur”, mësohet të jetë shprehur ajo. Ndër të tjera, duke folur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, Di Karlo e theksoi rëndësinë e zgjedhjeve në Kosovë, dhe shfaqi keqardhje për qëndrimin e shefit të diplomacisë serbe Vuk Jeremiç se Beogradi nuk do të mbështesë daljen e serbëve në zgjedhje. Di Karlo tha më tej se Kosova ka bërë përparim të madh, duke përkujtuar njohjen nga 62 shtete dhe anëtarësimin në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. Duke shtuar në fund të referimit të saj faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta mbështesin hyrjen e Kosovës, Serbisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe rrugën e tyre drejt integrimeve euroatlantike.

Advertisement