– Z.Hyseni, cilat ishin çështjet kryesore që u diskutuan për Kosovën në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së? Kjo ishte një seancë e rregullt e Këshillit të Sigurimit ku diskutohet për raportin periodik të sekretarit të përgjithshëm për gjendjen në Kosovë, dhe natyrisht, ne si autoritete të Republikës së Kosovës, nuk lëmë asnjë rast të tillë pa shfrytëzuar për të paraqitur pikëpamjet tona si dhe arritjet për sa i përket gjendjes në Kosovë. Dhe për këtë unë kam folur gjerësisht për arritjet gjatë periudhës mes dy seancave të Këshillit të Sigurimit në Kosovë si dhe për përparimin e përgjithshëm që bëhet në të gjitha fushat. Ka theksuar sidomos anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore dhe shpalljen e zgjedhjeve të lira për komunat në Kosovë. Kam vënë në dukje edhe sfidat me të cilat përballet Kosova, siç janë integrimet euroatlantike. Në këtë kuadër kam përshëndetur raportin e progresit të Komisionit Evropian dhe kam shfaqur përkushtimin dhe gatishmërinë, si dhe këmbënguljen e Kosovës për të punuar pa u ndalur në përmbushjen e kritereve që parashtrohen si nga raporti ashtu edhe nga procesi i integrimit në strukturat euroatlantike. – Kosova do të zhvillojë muajin e ardhshëm zgjedhjet në komuna. Si pritet të jetë pjesëmarrja e pakicave në këto zgjedhje? Bazuar në numrin e entiteteve politike që janë çertifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje mund të shihet me më shumë optimizëm pjesëmarrja e pakicave etnike. Ne si institucione po punojmë që të inkurajojmë sidomos grupin etnik serb që të marrë pjesë masivisht në këto zgjedhje, ngaqë konsiderojmë se kjo është e vetmja mënyrë që ata të jenë në gjendje të vendosin për veten në nivel komunal. Megjithatë, bazuar në thirrjet dhe presionin që bën Beogradi mbi anëtarët e pakicës serbe në Kosovë, prapë ka rrezik që numri apo përqindja e pjesëmarrjes të jetë e ulët tek komuniteti serb. Edhe sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, përfaqësuesi serb, ministri i jashtëm Jeremiç, tha se nuk përkrah pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje. Kjo është një dëshmi tjetër e fuqishme që Beogradi po bën në manipulimin e serbëve të Kosovës. – Ju e akuzuat Serbinë edhe gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit se po përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet lokale të nëntorit. Çfarë mënyrash po përdor Beogradi praktikisht, sipas jush, për ta bërë këtë? Beogradi përdor të gjitha mënyrat. Presione të shumëllojshme mbi pakicën serbe në Kosovë. Tani nuk mund të jap hollësi, por ato janë presione të cilat anëtarët e komuniteteve në Kosovë i përjetojnë, dhe ironikisht, janë pikërisht ata që e pësojnë nga ky mentalitet serb dhe nga ky presion i qeverisë në Beograd. – Zoti Hyseni, ndërkohë a keni zhvilluar takime të tjera në përpjekje për të rritur numrin e vendeve që e kanë njohur Kosovën deri tani? Patjetër, ajo është pjesë e pandashme e çdo aktiviteti që zhvilloj kudo që të jem. Natyrisht që kam takuar disa përfaqësues të vendeve të ndryshme sot, por nuk mund të hyj në hollësi të tjera. Sidoqoftë, kam takuar përfaqësues të disa vendeve që janë afër njohjes.