Kjo vizitë konsiderohet shumë e rëndësishme, duke pasur parasysh jo vetëm partneritetin në NATO, por edhe faktin se Shqipëria është në fokusin kryesor të investimeve kanadeze në rajon. Përpara takimit mes dy delegacioneve, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë dhe Kryetari i Senatit të Kanadasë zhvilluan një bisedë të veçantë kokë më kokë. Kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë që niveli i bashkëpunimit me Kanadanë në fushën ekonomike, ka pasur një dinamikë shumë pozitive dhe se vitet e fundit investimet kanadeze në Shqipëri janë rritur ndjeshëm. Duke theksuar rëndësinë e diplomacisë parlamentare Kryetari Kinsella, e konsideroi takimin me Kryetaren e Kuvendit në Kanada dhe këtë takim të sotëm, si një bazë e fortë për nxitjen e bashkëpunimit konkret mes qeverive të dy vendeve. I ardhur me projekte konkrete në Shqipëri, Kryetari Kinsella u ndal në bashkëpunimin mes dy parlamenteve, ndërkohë që një rëndësi të veçantë iu dha edhe projektit të bashkëpunimit në fushën e edukimit, përmes shkëmbimit të studentëve, profesorëve dhe bursave për studentët shqiptarë.