Pas një hetimi dy mujor, që nga fundi i muajit gusht nga prokuroria e Tiranës, gjykata e rrethit Gjyqësor të Tiranës ka caktuar masën e arrestit me burg për Artan Kriston nga qyteti i Durrësit. Ai akuzohet se ka kryer veprën penale të “Nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave me qëllim terroriste”, parashikuar nga neni 232/a i Kodit Penal. Për hetimin sa më të plotë të çështjes, janë shfrytëzuar një numër i madh mjetesh për kërkimin e proves, përfshi dhe ato karakterit teknik. Deri në këtë fazë të hetimit, në një analizë të të gjithë të dhënave të grumbulluara, është konkluduar se ka të dhëna të mjaftueshme që shtetasi Artan Kristo ka kryer vepën penale të mësipërme. Hetimet në këtë procedim penal vazhdojnë.