Kosovë – Progres-raporti kritika për institucionet

Mediat kosovare i kanë bërë jehonë raportit, sipas të cilave në 52 faqe raport të detajuar vjetor, që përfshinë periudhën nga nëntori i vitit të shkuar e deri më sot, Komisioni Evropian bën një pasqyrim të Kosovës dhe përpjekjeve të saja për t’u afruar me standardet Evropiane në shumë fusha. Qeveria kritikohet për ndërhyrje politike në caktimin e posteve kyçe në shërbimet civile, si emërimi i njerëzve në postet e larta civile nëpër ministri, në bordet e ndërmarrjeve publike, zyrën e Ombudspersonit si dhe Gjykatën Kushtetuese. “Kjo ka dëmtuar kredibilitetin e institucioneve të Kosovës që të menaxhojnë procesin e emërimeve në mënyrë korrekte dhe transparente, thuhet në raport. Sa i përket korrupsionit thuhet se ka një përparim “të kufizuar” dhe se “korrupsioni mbetet dominues në shumë fusha në Kosovë dhe vazhdon të jetë çështje për shqetësim serioz”. Po ashtu BE-ja është e pakënaqur sepse në Kosovë nuk ka garanci për lirinë e shprehjes, duke thënë se “nuk është siguruar pavarësia e plotë dhe paanshmëria e Radio Televizionit Publik të Kosovës”. Krimi i organizuar, sidomos ai në veri, është identifikuar si problem serioz. Sado që EULEX-i bën “regjistrimin” e hyrjes së mallrave nga Serbia në Kosovë, trenat që hynë nga Serbia nuk kontrollohen nga askush”, është e shqetësuar BE-ja. Ndërkohë në planin e arritjeve, raporti vlerëson rritjen e kapaciteteve të saj, krijimin e ministrive të reja dhe emërimin e disa zyrtarëve të lartë në pozitat kyçe.

Advertisement