“Përshëndes studentët dhe pedagogët e jap një mesazh për të gjithë universitetet në të gjithë Shqipërinë, të cilët sot janë drejtuar ndaj një kurrikule, e cila na çon më afër Evropës, asaj familje ku ne gjithmonë kemi inspiruar të bëjmë pjesë”, tha ai. Më pas, kreu i shtetit citoi se zërat, artistët apo piktorët e mëdhenj që kanë dalë nga kjo Akademi, janë bashkuar më parë se të tjerët me botën dhe kanë qenë të pakrahasueshëm me të tjerët. Në këtë këndvështrim, sipas tij, mund të thuhet se rruga përmes kësaj akademie, i ka çuar studentët e saj të parët drejt Evropës. Nga ana e tjetër, në fjalën e rastit, rektori i këtij fakulteti, Petrit Malaj, ka theksuar se Akademia e Arteve do të mbetet një teatër dhe galeri e hapur për të gjithë qytetarët. Sipas tij, studentët e Akademisë së Arteve do të vazhdojnë rrugën e tyre të dijes, të pandarë nga ajo e artit. Gjithashtu presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi Akademinë e Arteve, me titullin “Mjeshtër i Madh”, në shenjë mirënjohjeje për të gjitha figurat e mëdha. “Universitetet duhet të shkojnë drejt përmirësimit të cilësisë. Urojmë dhe shpresojmë që studentët, të cilët mësojnë jashtë vendit, të kthehen në atdhe”, u shpreh Topi.