Tiranë – Rama, liberalizimin e vizave nuk po e pengojmë ne

“Kryeministri bëri një deklarim tërësisht absurd dhe delirant kur tha se është gati t’i japë shumicën, por jo për të bërë atë punë që donim të bënim ne. Pra, edhe njëherë tjetër konfirmoj se, të gjitha procedurat ligjore dhe të gjitha aktet e bazuara në normën elementare të funksionimit të çfarëdolloj trupe në demokraci, janë vetëm një shprehje e shkruar në letër që mund të hidhet në kosh njësoj siç u hodh në kosh ligji zgjedhor, ku u refuzua në mënyrë arbitrare, në mënyrë të dhunshme e drejta jonë për të hapur kutitë përmes një shumice aty që nuk e kishte fare atë të drejtë të refuzimit të zbatimit të ligjit. Kështu që, është e qartë që ne duam që të bëjmë një hetim parlamentar” deklaroi Rama. Rama deklaroi më tej se nuk ka penguar liberalizimin e vizave ashtu si pretendon Berisha dhe zëvendësi i tij. “Përsa i përket akuzës idioteske të Kryeministrit bashkë me ministrin e Jashtëm dhe gjithë të tjerët se ne po penguakemi liberalizimin e vizave, sot i akuzuari lidhur edhe me liberalizmin e munguar të vizave është personalisht Sali Berisha, i cili duhet t’ju japi llogari shqiptarëve, pse Mali i Zi, Maqedonia dhe vetë Serbia që e nisi nga shumë më mbrapa sesa ne procesin drejt BE dhe liberalizimit, sot e kanë marrë liberalizimin dhe pse Shqipëria ka mbetur brima e fundit e kavallit, ndërkohë që duhet të ishte pa asnjë diskutim, jo vetëm bashkë me këto vende të tjera, por edhe përpara tyre në këtë proces” tha kryesocialisti Rama. Rama tha më tej se “protestat sapo kanë filluar dhe ato do të vazhdojnë dhe do të shtrihen në të gjithë Shqipërinë. Në javën që fillon do të ketë një protestë tjetër në një qytet tjetër të Shqipërisë gjë që do ta bëjmë të ditur nesër”.

Advertisement