Kosovë – Partitë fillojnë fushatën parazgjedhore para afatit të përcaktuar

Fushata parazgjedhore në Kosovë për zgjedhjet lokale zyrtarisht pritet të fillojë të enjten, por disa parti kanë filluar prej ditësh aktivitetet e tyre parazgjedhore. Në rrugët e Prishtinës janë vendosur postera të kandidatëve që garojnë për ta marrë udhëheqjen e Kosovës apo të drejtuesve të partive, ndërsa televizionet kanë filluar të transmetojnë spote elektorale. Aktivitetet e parakohshme zgjedhore kanë nxitur reagimin e disa subjekteve politike, që i kanë vlerësuar ato si shkelje të rregullave zgjedhore. Lidhja Demokratike e Kosovës, partia e dytë më e madhe në vend, ka thënë se ka denoncuar në Komisionin për Ankesa e Parashtresa shkeljet e bëra nga partitë tjera, pa specifikuar se për cilat parti bëhet fjalë. Disa subjekte më të vogla politike kanë bërë thirrje që të respektohen rregullat e lojës dhe që “partitë e mëdha të mos keqpërdorin mundësitë e tyre financiare dhe pushtetet politike për arritjen e qëllimeve të tyre”. Në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, do të garojnë 74 entitete politike. Këto do të jenë zgjedhjet e para pas pavarësisë dhe që do të organizohen nga autoritetet vendore. Zgjedhjet do të vëzhgohen nga koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në veprim”, i cili në fundjavë ka filluar me trajnimin e vëzhguesve lokalë.

Advertisement