Një ditë pas protestës që Partia Socialiste, zhvilloi të shtunën pasdite në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, kryesocialisti Edi Rama ka dalë në një deklaratë për shtyp me anë të së cilës ka falenderuar të gjithë qytetarët pjesëmarrës që përkrahën sloganin “Ku është vota ime”. Madje sipas Ramës qytetarët do të jenë më aktiv në protestat e PS-që që pritet të përshkallëzohen duke lëshuar firmat e tyre. “Manifestimi i djeshëm tregoi se ne jemi në rrugën e duhur. Në kërkim të së drejtës tonë dhe në këtë rrugë përfaqësojmë një shumicë të madhe shqiptarësh. Po ashtu, edhe vetë procesi i mbledhjes së firmave të qytetarëve për ti kërkuar këtij parlamenti të cunguar thellësisht në legjitimitetin e vet hapjen e kutive tregoi se jemi në një rrugë ku vullneti i njerëzve për të marrë pjesë është i plotë” deklaroi dje Rama. Sipas Ramës procesi i mbledhjes së firmave ishte spontan nga një grup mbështetësish të PS-së gjë e cila u mor përsipër nga kjo e fundit. “Vetëm dje në spontanitet të plotë numri i firmave, të paktën deri në momentin kur u informova, kishte kaluar 10 mijëshen. Kështu jemi në kushtet kur me lehtësi më të madhe mund të bëjmë mbledhjen e firmave për të çuar më pas në Parlament apelin kushtetues për hapjen e kutive të votimit dhe hetimin e zgjedhjeve” tha më tej Rama. Ndërkohë që Rama njoftoi se Partia Socialiste po studion qytetin e tjetër për të zhvilluar protestë, ndërsa shtoi se partia e tij nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit.