Berisha në këtë mënyrë i ka bërë thirrje Edi Ramës që t’i japë fund bojkotit të Parlamentit dhe të kontribuojë në procesin e liberalizimit të vizave. Reagimi erdhi pasi mbrëmë, Rama në Top Channel deklaroi se nëse PS-së do t’i jepej shumica në një komision parlamentar për hetimin e zgjedhjeve parlamentare, “që nesër ne shkojmë në Kuvend”. Gjithsesi, Berisha ndonëse e pranoi këtë kërkesë madje tha se përpos saj do t’i japë dhe kreun e komisionit, sqaroi se nuk bëhet fjalë që në atë komision të shtrohet çështja e rinumërimit të fletëve të votimit përmes rihapjes së kutive, duke theksuar se kutitë nuk do të rihapen. Këtu Berisha i bëri thirrje publike Ramës t’i paraqesë ankesat e tij në Prokurori. “Prokuroria ka tagrin të marrë të gjitha vendimet e duhura. Rama të gjejë të gjitha argumentet pretekstet t’i paraqesë prokurorisë dhe qoftë ajo e rretheve apo qoftë e Prokuroria e Përgjithshme kanë tagrin e plotë të hetimit të urdhërimit të shqyrtimit të çështjes nëse dalin jashtë sistemit gjyqësor unë e garantoj zotin Rama se kjo është interesi më i keq i çdo qytetari shqiptar i çdo force politike i kujtdo ajo”, u shpreh Berisha. Kryeministri komentoi dhe protestën e pritshme për nesër të PS së bashku me disa forca të tjera politike dhe tha se opozita ka të drejtën e protestës por sipas tij tashmë Shqipëria ndodhet në një periudhë të rëndësishme duke shqyrtuar procese historike ku nevojitet kontributi i opozitës.