Tiranë – Rama, deklaratat e Berishës janë provokimi i rradhës

“Pasi u informova për provokimin e radhës të Kryeministrit Sali Berisha, një provokim i ulët dhe i papranueshëm, konstatoj se kjo e shton edhe më shumë masën e arsyes pse nesër në orën 17:00, qytetarët duhet të bashkohen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të protestuar kundër këtij Kryeministri dhe kundër pushtetit të tij të vjedhur”, deklaroi Rama. Ai citoi se Sali Berisha thotë se është gati të na japë shumicën, por konstaton se “nuk jep të drejtën për të vendosur për objektin e hetimit”. “Ndërkohë që, objekti i hetimit të komisionit parlamentar nuk mund të kufizohet për asnjë çështje dhe në rastin konkret nuk mund të përcaktohet nga vullneti i Sali Berishës dhe i shumicës së tij në Parlament, që buron jo nga vullneti i shumicës, por nga votat e grabitura të tyre”, vijoi z.Rama. Ai theksoi se “ne e duam shumicën në komisionin hetimor parlamentar, për të hapur kutitë dhe jo për të hapur një tjetër hetim parlamentar të dështuar dhe të turpshëm si hetimet e Sali Berishës”. Rama vlerësoi se “Berisha i trembet hapjes së kutive si djalli temjanit, sepse e di mirë që në ato kuti fshihet krimi i tij elektoral, fshihet humbja e tij në 28 qershor, fshihen manipulimet e tij me kartat, pasaportat, listat dhe me vetë votat e shqiptarëve”. Sipas Ramës, te kutitë e votimit, “fshihet projekti i tij për ta kthyer demokracinë në një skemë të mbyllur, ku fiton gjithnjë pushteti pavarësisht si voton populli”. Rama citoi sërish Berishën që thotë se nuk mund të na lejohet të dalim mbi drejtësinë, “ndërkohë që pushteti i tij abuziv, korruptues, pushteti i tij pa legjitimitet ka dalë mbi drejtësinë, duke i mohuar opozitës një të drejtë ligjore, të drejtën për të hapur kutitë me dy anëtarë të KQZ-së dhe duke e vulosur këtë padrejtësi përmes një kolegji elektoral të gjunjëzuar përpara presioneve”. Këtu Rama kërkoi të sqarojë se “ne nuk duam të dalim mbi drejtësinë dhe as të zëvendësojmë prokurorinë, por duam të bëjmë detyrën tonë, duke rivendosur drejtësinë përmes ushtrimit të së drejtës për të nxjerrë në dritën e diellit atë që Sali Berisha mban peng në terrin e kutive të mbyllura, që nuk pranon të hapen”. Për Edi Ramën, Komisioni hetimor parlamentar nuk është një shkallë tjetër gjykimi, pra, nuk ka të bëjë fare me asnjë mbivendosje në sistemin e hierarkisë të drejtësisë. Sipas Ramës, “Komisioni parlamentar hetimor është një trupë që e ka themelin e vet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe që deputetët e ngrenë për një çështje të caktuar, për të hedhur dritë mbi zullumet, dhe për këtë zullum të zullumeve dhe pastaj për të dalë me propozime konkrete për përmirësime ligjore, me referenca konkrete për organin e akuzës dhe për t’i dhënë një pamje të qartë publikut lidhur me çka hetojmë”. “Ne duam shumicën e komisionit hetimor, për të shpëtuar demokracinë nga pakica, që me pushtetin e grabitur kërkon të grabitë, jo vetëm pasuritë e shqiptarëve, por edhe liritë e të drejtat e tyre, dinjitetin e tyre në atdheun e tyre, ku Sali Berisha ëndërron të sundojë pa zgjedhje të lira derisa të vdesë”, vijoi z.Rama. Në përfundim të daljes publike, Rama ka folur sërish mbi bojkotin parlamentar duke theksuar se “qëndrimi ynë është i qartë, është transparent, është i prerë: Nuk hymë në Parlament nëse nuk merren parasysh kushtet tona”. “Këtë qëndrim, shtoi Rama, e kemi bërë të qartë dhe do ta komunikojmë vijimësisht me publikun shqiptar, me miqtë dhe partnerët ndërkombëtar, si një qëndrim i domosdoshëm për të patur një demokraci që të jetë e qëndrueshme dhe jo një demokraci që të rrëshqasë përditë në zullumin e një pushteti që do të zëvendësoj shtetin me vetveten dhe do të zëvendësojë zgjedhjet me një skemë ku pushteti numëron pavarësisht se si voton qytetari”.

Advertisement