Në praninë e ministrave të jashtëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë dhe politikanëve të tjerë evropianë, shefat e diplomacisë të Armenisë dhe Turqisë do të nënshkruajnë këtë të shtunë protokollet për hapjen e kufijve. Turqia dhe Armenia patën ndërprerë marrëdhëniet diplomatike në vitin 1993, si pasojë e konfliktit në mes të Armenisë dhe Azerbajxhanit për rajonin e Nagorni-Karabahut. Kështu, Turqia myslimane si edhe Armenia e krishterë janë në prag të nënshkrimit të një marrëveshje historike për paqen mes këtyre vendeve, pas një shekulli të kaluar në armiqësi. E pranishme gjatë firmosjes së marrveshjes, pritet të jetë edhe sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton. E megjithatë, kryeministri turk Taip Erdogan u shpreh se pavarsisht nënshkrimit të marrëveshjes, gjithmonë do të ketë probleme në marrdhëniet e dy vendeve. “Problem i Armenisë është diaspora e saj e cila është shumë agresive në qëndrimet që mban. Por unë jam i sigurt se qeveria armene do të jetë e aftë ta tejkaloj këtë problem si edhe të tregojë dëshirë për të bashkëpunuar”, u shpreh Erdogan.