Maqedoni – Formohet redaksi e re për korrigjimet e Enciklopedisë

Në stafin e ri, që do të bëjë korrigjimet e duhura do jenë dhe përfaqësues të etnive të ndyshme, përfshi këtu dhe shqiptarë. Kryesia e Akademisë maqedonase përcaktoi një afat prej një muaji për të kryer këto ndryshime. Sipas vendimit të kryesisë, me ndryshimet e Enciklopedisë do të angazhohen, autorë dhe historianë kompetentë. Enciklopedia maqedonase e promovuar përpara disa javësh në Shkup, veç fakteve për shqiptarët, ku përshkruhen si njerëz mali dhe ku sugjerohet se është ushtruar dhunë dhe janë dëbuar maqedonasit nga shqiptarët në shekullin XVI, kur kanë filluar të popullojnë trevat e Maqedonisë, për UÇK-në thotë se është stërvitur nga ushtarë të njësiteve speciale britanike SAS dhe oficerë të ushtrisë amerikane. Kjo enciklopedi e përshkruan Ali Ahmetin, ish-liderin e UÇK-së, tashmë kryetar të BDI-së, si të akuzuar për krime lufte, ndërkohë që nuk ka një padi të tillë. Enciklopedia nuk tregon identitetin shqiptar të Nënës Terezës, ndërsa ka fakte të shtrembëruara edhe për Skënderbeun. Këto përkufizime ngjallën protesta në Shkup, Shqipëri dhe nga autoritetet ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hedhur poshtë pretendimet për stërvitje të UCK-së nga ushtria amerikane duke i konsideruar pretendimet si të pabaza e të neveritshme.

Advertisement