Meta e falënderoi Ambasadorin Withers për mbështetjen e fuqishme të SHBA dhe shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për intensifikimin e marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve. Ambasadori Withers i dorëzoi Metës mesazhin e urimit të Sekretares së Shtetit, Hilary Klinton, përmes të cilit ajo shpreh mbështetjen e vazhdueshme që SHBA do t’i japë Shqipërisë gjatë proçesit të integrimit Euro-Atlantik si dhe thekson angazhimin për thellimin e partneritetit të ngushtë mes SHBA dhe Shqipërisë. “Ju lutem pranoni urimet e mia të ngrohta me rastin e emërimit tuaj si Ministër i Jashtëm dhe Zëvendëskryeministër. Pres me kënaqësi të punoj së bashku me ju për nxitjen e lirisë dhe begatisë në rajonin tuaj dhe në gjithë botën. Ky ka qenë një vit i rëndësishëm për partneritetin tonë. Ishte nder për Shtetet e Bashkuara që bashkë me aleatët e saj të NATO-s mirëpriti Shqipërinë në Aleancë gjatë këtij viti, një reflektim ky ndaj kontributeve pozitive të Shqipërisë për paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global. Ne ju premtojmë mbështetjen tonë të vazhdueshme për integrimin Euro–Atlantik të Shqipërisë” thuhej në mesazhin që Klinton i dërgoi Metës. “Ju uroj sukses të plotë në detyrën tuaj të re dhe pres me kënaqësi të punoj së bashku me Ju, në mbështetje të objektivave të përbashkëta të të dy vendeve tona për një Evropë Juglindore stabël dhe paqësore, dhe për të çuar më tej sigurinë dhe vlerat demokratike në Shqipëri dhe në mbarë botën. Kam besim se duke realizuar këto objektiva, partneriteti i ngushtë ndërmjet vendeve tona vetëm se do të thellohet” përfundon mesazhi i Sekretares së Shtetit, Klinton drejtuar Ministrit të Jashtëm Ilir Meta.