Tiranë – Berisha thirrje opozitës të bashkëpunojë me Kuvendin për reformat

Berisha ka shfrytëzuar mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për t’i bërë thirrje PS-së të marrë pjesë në Kuvend duke lënë mënjanë mëritë. Veç apelit për të marrë pjesë në Kuvend, Berisha nuk hezitoi t’i bëjë edhe disa premtime opozitës si ndryshimin e Kodit Zgjedhor apo edhe se do të dëgjonte me çdo kusht zërin e socialistëve në Parlament. “Ftoj opozitën të japë kontribut në parlament për reformat. E garantoj se zëri i saj do dëgjohet madje në përmirësimet e kodit ne bazë te sugjerimeve të OSBE, opozita do të ketë rol vendimtar”, deklaroi Berisha. Më tej Berisha “kërcënon” të majtën se po humbet meritat që i takojnë në çështjen e liberalizimit të vizave pasi nëse ata nuk marrin pjesë kjo e drejtë ju mohohet dhe merita i kalon mazhorancës. “E ftoj të tregojë me praninë e saj se e mbështet liberalizimin e se nuk është kundër këtij procesi. Ne do ta realizojmë çdo reformë, por nuk është mire t’ia lëmë meritën vetëm njërës palë”, tha Berisha gjatë mbledhjes me vartësit e tij.

Advertisement