Vlorë – Studentët dalin nga greva e urisë

Studentët ishin futur në grevë urie, në shenjë proteste ndaj diplomave të thjeshta që ata morën pas përfundimit të studimeve universitare. Diplomat që ata morën i korrespondonin certifikatave që lëshohen për sistemin e ri 3+2 vjet të sistemit të Bolonjës, mirëpo këta të rinj, nuk i kishte përfshirë ky sistem. Për rrjedhojë, studentët e Fakultetit Juridik, u ankuan se po merrnin diploma pa vlerë, (të nivelit të parë), pra certifikata, ndërkohë që sipas tyre u takonin diplomat e juristit. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj u dha të drejtë studentëve të ngujuar që përfaqësonin disa qindra të laureuar sivjet dhe i kërkoi rektorit të UV, Tanush Shaska që t’u njohë atyre të drejtën e pajisjes me diplomë të sistemit të mëparshëm (jo atij të Bolonjës) që janë dhe diploma juristi (të nivelit të dytë). Duket se qëndrimi i Shaskës nuk ishte refuzues sepse ai ka deklaruar se pajisja e studentëve me këto diploma ishte vetëm çështje kohe për printimin e tyre dhe kjo pasoi vendimin e studentëve për të dalë nga ngujimi rreth pesë ditor. Pas daljes nga greva e urisë, studentët e ngujuar deklaruan se kishin zhvilluar një takim me përfaqësues të MASH-it si dhe me praninë atje të zëvendësrektorit të UV “Ismail Qemali” dhe dekanit, duke arritur marrëveshjen për të marrë diplomë të nivelit të dytë.

Advertisement