Marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve, zgjerimi i mëtejshëm i tyre dhe njohja e Kosovës ishin çështjet kryesore që u diskutuan gjatë këtij takimi. Meta vlerësoi lidhjet historike mes Shqipërisë dhe Egjiptit, rolin e Egjiptit në botën arabe duke theksuar marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe shprehu gatishmërinë për t’i zgjeruar ato më tej, në të gjitha fushat e bashkëpunimit. Gjithashtu, Meta i shprehu Ambasadores Gomaa, dëshirën për të parë Egjiptin të rreshtuar në anën e shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që do i shërbejë stabilitetit të rajonit. Nga ana e saj, Ambasadorja Gomaa u shpreh se “qeveria egjiptiane po i ndjek me vëmendje zhvillimet në rajonin tonë, veçanërisht në Kosovë si dhe qëndrimet e shteteve të ndryshme ndaj njohjes së pavarësisë së saj”. Meta u takua edhe me Ambasadoren e Republikës Arabe të Sirisë në Shqipëri me rezidencë në Athinë, Houda Al Houmsi Meta i kërkoi Ambasadores Al Houmsi që emri i Sirisë të jetë pjesë e listës shteteve që njohin pavarësinë e Kosovës. Ambasadorja Al Houmsi, tha se “Siria do të jetë shumë e gatshme për të bashkëpunuar me qeverinë e re shqiptare dhe do të përshpejtojë përfundimin e procedurave ligjore të marrëveshjeve që janë në proces”.