Rishikimi i buxhetit konsiston në rishpërndarje, pra marrje të fondeve nga projektet apo ministritë, ku ato nuk janë shpenzuar. Projekti për rishikimin e buxhetit 2009 reflekton përdorimin e të ardhurave nga privatizimi i ARMO-s, në masën neto prej 9.790 milionë lekë të papërdorur nga viti i kaluar sipas formulës 50% ulje të huamarrjes së brendshme dhe 50% rritjes së investimeve, të ardhurave nga privatizimi strategjik i OSSH sha-së, prej 11.700 milionë lekë sipas formulës 50 % për ulje të stokut të brendshëm dhe 50 % rritje investimesh, si dhe të atyre nga shitja e aksioneve të AMC prej 5.440 milionë lekë për rritjen e investimeve. Në këtë ndryshim të buxhetit parashikohet rritja e shpenzimeve kapitale me burime të brendshme në infrastrukturë me rreth 12.4 miliardë lekë dhe të shpenzimeve korrente me 1.7 miliardë lekë, krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2009, ku 1.2 miliardë lekë e zë rritja e kompensimit të ish-përndjekurve politikë. Deficiti buxhetor në buxhetin e rishikuar rezulton në masën 74.790 milionë lekë, ose 6.4 % e PBB-së. Ky rishikim i buxhetit sjell edhe rritjen e fondit rezervë dhe kontigjencës në masën 221 milionë lekë, duke bërë që ky zë të kapë nivelin 15.921 milionë lekë, ose 1.35 % e PBB-së. Ndërkohë është parashikuar një nivel i huamarrjes së brendshme në masën 40.424 milionë lekë ose 3.4 % e PBB-së.