Shqipëri – Zhvillohet faza e dytë e regjistrimeve në universitete

Ministria e Arsimit ka pohuar se kandidatët që janë shpallur fitues në listat përfundimtare, në një program tjetër studimi të një preference të tyre më të lartë, do të çregjistrohen nga programi i studimit ku janë regjistruar paraprakisht. Për sa i takon studentëve që rezultojnë fitues në listat përfundimtare, nuk është i nevojshëm regjistrimi i tyre. “Kandidatët do të regjistrohen nga datat 28, 29, 30 shtator dhe 1, 2, 3 tetor 2009, prej orës 08:00 deri në orën 18:00 në sekretaritë mësimore të fakulteteve”, tha MASH. Pas fazës përmbyllëse të regjistrimeve, lista e kandidatëve të regjistruar do të paraqitet në APRIAL, në datën 5 tetor. Ndërkohë, në listën e dokumenteve me të cilën kandidatët mund të regjistrohen në universitete, ministria thekson se duhet të jenë: Dëftesa e Pjekurie origjinale (në mungesë, listë notash me fotografi, e nënshkruar nga drejtori i shkollës e nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale përkatëse), dokumenti i identifikimit (letërnjoftim, certifikatë ose pasaportë), dy 2 fotografi si dhe mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1500 lekësh. Ata kandidatë që nuk kryejnë regjistrimin brenda datave të përcaktuara, nuk përfshihen në listën e fituesve, duke humbur të drejtën për të vazhduar studimet e larta për këtë vit.

Advertisement