Janë mbi 400 qendra votimi të shpërndara në të gjithë vendin, në të cilat do të votojnë të gjithë anëtarët e bazës socialiste, nga Jugu në Veri të vendit, duke zgjedhur kështu kryetarin e ri, i cili do ta drejtojë selinë rozë për katër vitet e ardhshme. Para tij, shfaqen sfidat e zgjedhjeve lokale, si edhe përgatitjet e selisë rozë për një tjetër betejë me demokratët në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme për mandatin 2013-2017. Garat për kryetarin e ri socialist zhvillohet mes Edi Ramës dhe Maqo Lakrorit, dy kandidaturave të vetme të saj, ku sipas të gjitha gjasave, i pari i ka të gjitha shanset për t’u rizgjedhur në kryesimin e Partisë Socialiste. Ndërkaq, është bërë e ditur paraprakisht se në votime sot nuk do të shkojë pjesa tjetër e socialistëve që janë pozicionuar kundër Edi Ramës. Përfaqësuesit e Lëvizjes për Mendim Ndryshe në PS, Ben Blushi dhe Arben Malaj e kanë cilësuar këtë votim si një farsë dhe prandaj do ta bojkotojnë atë.